Kualifikimi në gjysmëfinalen e Kupës do hidhet pas krahëve në kampin e Vllaznisë. Shkodranët rikthehen në aksion këtë fundjavë ndaj një kundërshtari tepër delikat si Laçi. Tekniku, Thomas Brdaric vlerëson rivalët, ndërsa thekson se skuadra do jetë e fokusuar për të dhënë maksimumin ndaj kurbinasve pavarësisht lodhjes fizike në mesjavë.
“Kur luajmë në 120 minuta dhe shkojmë në penallti, kuptohet që aspekti fizik i lojtarëve do të ulet, por ne jemi një skuadër e madhe. Jemi ende në shkurt dhe pothuajse e kemi arritur objektivin që ka klubi, që të shkojmë në Europë dhe për këtë jemi të lumtur. Duhet të jemi shumë të përgatitur për Laçin. Është rritur shumë në lojë pas ndryshimeve në pankinë”, tha Thomas Brdaric, trajneri i Vllaznisë.
Për teknikun, objektivi i Vllaznisë është që të grumbullojë sa më shumë pikë për të mbetur në garë për titullin kampion.
“Lojtarët duhet të jenë gati dhe të meritojnë që të jenë në fushë. Kryesorja është që të vendosim lojtarët më të mirë në fushë, dhe të kemi lojtarë për të bërë ndryshime. Java në vijim është e rëndësishme se Elbasani luan me Partizanin dhe nëse fiton do të afrohet me 4-shen, edhe Laçi është afër. Puna jonë është të jemi sa më të qetë deri në fund”, tha Thomas Brdaric, trajneri i Vllaznisë.
Vllaznia e vendit të dytë nuk humbet prej 4 sfidave në Superligë, ndërsa kurbinasit gjenden të 6-ët në renditje.
Klan News