Derbi mes Partizanit dhe Tiranës nuk do të luhet në stadiumin “Arena Kombëtare”. Klubi i kuq, ka njoftuar se sfida më e zjarrtë e kryeqytetit, do të zhvillohet në stadiumin e Partizanit, “Arena e Demave”.
Ndryshe nga vitet e fundit, ku jemi mësuar që derbin ta shikojmë në “Arena Kombëtare”, këtë herë do të luhet në stadiumin e “demave”, i cili do e presë këtë përballje për herë të parë.
Ndeshja Partizani-Tirana, do të luhet të Dielën e 9 Shkurtit, duke nisur nga ora 13:30. Pritet të jetë një përballje e luftuar nga të dyja ekipet, që do të kërkojnë me çdo kusht triumfin.
Partizani vjen në këtë përballje pas dy barazimeve radhazi në kampionat dhe renditet në vendin e tretë me 39 pikë.
Në krahun tjetër, Tirana ndodhet në pozita aspak komode, siç është vendi i parafundit në renditje me 22 pikë.
Dy përballjet e mëparshme të këtij sezoni mes dy ekipeve, janë mbyllur në barazim pa gola.
/tvklan.al