Me afrimin e stinës së nxehtë dhe rritjen e temperaturave, rituali është i ditur: aplikimi i kremit të diellit dhe qëndrimi në hije për të parandaluar djegien, rrudhat apo edhe më keq, kancerin e lëkurës. Apo ka një ndryshim?
Ekspertët i dinë përfitimet që sjell ekspozimi në diell si prodhimi i vitaminës D, përmirësimi i shëndetit mendor, shikimit dhe ndihmon në rregullimin e orës biologjike, madje mund të ulë presionin e gjakut.
Për këto arsye, ata mendojnë se të gjithë duhet të marrim një dozë me rreze dielli çdo ditë, pa mbrojtjen e kremit.
“Për shumë kohë, dermatologët janë fokusuar te kanceri i lëkurës dhe rrjedhimisht nuk i kemi konsideruar siç duhet përfitimet shëndetësore të diellit”, thotë Richard Weller nga Universiteti i Edinburgut dhe një dermatolog i njohur në NHS Lothian.
Në këndvështrimin e ri, mbrojtja nga dielli duhet përshtatur me ngjyrën e lëkurës. Njerëzit me lëkurë të errët përfitojnë më shumë nga ekspozimi ndaj diellit.
Në Australi, një analizë nga QIMR Berghofer kanë dalë politika të reja, të njohura nga Cancer Council Australia që thonë se ekspozimi në diell mund të jetë i dëmshëm por edhe i frytshëm për shëndetin, ndërsa rreziqet ndryshojnë mes grupeve.
“Sipas të dhënave nga personat me lëkurë të errët, përfitimet që ata marrin nga qëndrimi në diell tejkalojnë rreziqet. Ata kanë risk të ulët të kancerit të lëkurës, por të lartë për mungesën e vitaminës D. Kështu që nëse nuk qëndrojnë jashtë për intervale të gjata kohe, s’kanë pse të mbulohen”, thotë Anne Cust nga Universiteti i Sidneit dhe anëtare e Cancer Council’s National Skin Cancer Committee.
“Ka një ndryshim në mendime, në njohjen e diversitetit në popullatë. Ndërkohë për ata me lëkurë të bardhë ose të zeshkët, rreziku i kancerit është më i lartë sesa përfitimet e vitaminës D ndaj mbrojtja nga dielli këshillohet kur treguesi i rrezeve ultravjollcë është 3 ose më shumë”.
Treguesin e rrezeve ultravjollcë mund ta shihni në aplikacionin e motit ose të shkarkoni një të posaçëm.
Mosqëndrimi në diell mund të shkaktojë më shumë vdekje sesa ekpozimi ndaj tij. Por duhet bërë me kujdes, mos prisni që në javët e pushimit që do të kaloni në një vend të nxehtë të merrni të gjitha rrezet e diellit që s’keni mundur. Mjaftojnë disa minuta në ditë pa u mbuluar me krem dielli për të marrë benefitet pa risk.
Për njerëzit me lëkurë të bardhë, mjaftojnë 10-15 minuta çdo ditë për të shamngur mungesën e vitaminës D, ndërsa për ata me lëkura më të errëta, 25-40 minuta. Gjatë dimrit, këshillohen suplementet e vitaminës D.
Por ç’duhet të bëjmë me kremin e diellit? Si fillim, ai parandalon rrudhat dhe djegien. Nëse kombinohet me vitaminën C, ndikon në eliminimin e njollave nga dielli. Për disa minuta, mund të aplikoni kremin në fytyrë dhe të qëndroni në diell pa lyer pjesët e tjera të ekspozuara të trupit derisa të plotësoni kohën e nevojshme./tvklan.al