Lajme Arkiva 2003

“Pasagjeri vrasës më kërkoi të ndiqja makinën e familjes Sollaku duke më thënë se aty ndodhej një miku i tij”. Kjo është dëshmia ekskluzive e botuar nga gazeta “Korrieri”. Dëshmitari kryesor i vrasjes së dy netëve më parë në bulevard, shoferi taksist nga e cila zbriti personi që ekzekutoi Genc Sinën, ka dhënë një variant të ngjarjes që e hedh poshtë versionin zyrtar të publikuar në njoftimin për shtyp të prokurorisë.

Sipas burimeve të policisë dhe prokurorisë lëvizja e çiftit që kreu vrasjen me taksi ka qenë e rastësishme, por dëshmia e shoferit zbardh të kundërtën. Ndërkohë taksisti dëshmitar megjithëse ka dalë nga ambientet e Drejtorisë së Policisë, ndodhet në kushtet  e një arresti shtëpiak.

Këtë e konfirmojnë edhe agjentë të shumtë policor që ndodhen pranë shtëpisë së tij si edhe një i afërm i familjes. Policia nuk lejon askënd të hyjë në shtëpi ku gjatë 24 orëve në oborrin e shtëpisë private ka arritur të futet vetëm gazetari i “Korrierit” duke siguruar dhe regjistrimin e dëshmisë ekskluzive.

Sipas dëshmisë së botuar pak para se ti afrohej semaforit, autori i krimit ka mbushur pistoletën. Megjithëse deri më tani me këtë krim janë marrë prokurorët dhe ekspertë policorë profesionist, ende dy ditë pas vrasjes nuk është publikuar identikiti, portreti i vrasësit sipas përshkrimit të dëshmitarëve.

Policia është drejtuar për sigurimin e provave edhe pranë lokalit Antonela, ku janë kërkuar dëshmi dhe shenja të ndryshme të lëna nga vrasësi dhe shoqëruesja e tij. Sipas dëshmisë së taksistit, çifti i të rinjve kanë dalë prej andej pak minuta para vrasjes./tvklan.al