Të tjera detaje mësohen nga shkatërrimi i një grupi kriminal në Durrës, ku raportohet paraprakisht për 15 persona të arrestuar.
Kështu, sipas Klan News, autoritetet policore mësohet se kanë mundur të zbardhin disa ngjarje, mes tyre edhe vrasjen Erion Çelës, e ndodhur më 4 Janar të këtij viti në zonën e Don Boskos në Tiranë, nga ku mbetën të plagosur 4 persona të tjerë.
Sipas të njëjtave burime, kanë qenë dy vëllezërit e arrestuar një ditë më parë, Indrit dhe Gentian Beqiraj, të cilët kanë bashkëpunuar me policinë duke treguar për disa atentate në Tiranë e Durrës.
Dy vëllezërit mësohet po ashtu se kishin ruajtur Aleksandër Lahon i njohur ndryshe si “Rumi i Shijakut” për ta ekzekutuar.
Gjithnjë sipas të dhënave paraprake të Klan News, mes të arrestuarve është edhe Ilirjan Feçi, i cili ndodhet aktualisht në burg për vrasje.
Kush janë vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj: Vetëm një ditë më parë, emrat e tyre u artikuluan në media për një ngjarje të ndodhur në autostradën Durrës-Tiranë. Një përplasje mes një motori dhe makine, shkaktoi një konflikt mes 6 personave, të cilët u konfliktuan fizikisht ndërsa një prej tyre më pas u mor peng për disa minuta. Në motor ishin pikërisht dy vëllezërit Beqiraj.
Dy vëllezërit pas ngjarjes shkuan në komisariatin e policisë, ku pretenduan para hetuesve se konflikti ndodhi për motive të dobëta, si pasojë e përplasjes së motorit me automjetin dhe në debat e sipër degradoi në dhunë dhe pengmarrje. Por autoritetet dyshonin se nuk bëhej fjalë për një konflikt të çastit pasi palët kishin njohje dhe mund të kenë pasur konflikte të mëparshme. Dy vëllezërit rezultojnë me precedentë të mëparshëm penal, pasi janë arrestuar në vitin 2013 për mbajtje të armëve pa leje si dhe për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Vrasja në Don Bosko: Në atentatin e ndodhur mbrëmjen e 4 janarit në zonën e Don Boskos në Tiranë mbeti i vrarë Erion Çela dhe u plagosën 4 persona të tjerë, 3 prej të cilëve ndodheshin në tavolinë me të në një lokal të zonës. Në mesin e të plagosurve ishin edhe Edmond Crrojn dhe Blerim Çela daja dhe vëllai i viktimës. Autorët qëlluan me breshëri plumbash nga një automjet dhe më pas u larguan duke humbur gjurmët. Sipas policisë, Erion Çela u vra gabimisht pasi atentatorët ngatërruan objektiv. Edhe vëllai e daja i tij që mbetën të plagosur, nuk kanë lidhje me ngjarjen, pasi janë ngatërruar si objektiv.
Ilirjan Feçi ndodhet në burgun e Peqinit, i arrestuar për tentativë vrasje të Alfred Gjokës në Lezhë, më 17 gusht të 2021.
Aleksandër Laho, apo “Rumi i Shijakut” mbeti i plagosur në atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoj ngjarje e ndodhur më 1 nëntor të 2019-s pranë mbikalimit të Shkozetit. Persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri nga mjeti i tyre në drejtim të automjetit ku po udhëtonte prokurori Ndoj. Si pasojë mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku 24 vjeç dhe Aleksandër Laho./tvklan.al