Pas disa javësh vonesë, Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dha dritën jeshile paketës së ndihmës financiare prej mbi 60 miliardë Dollarësh për Ukrainën.
Për paketën votuan pro 311 ligjvënës amerikanë nga të cilët 101 ishin republikanë që bashkuan votat me demokratët.
Votimi konfirmoi edhe një herë përçarjen e madhe që ekziston mes republikanëve, pasi 112 prej ty që i përkasin linjës së ashpër, ashtu siç edhe kishin parlajmëruar votuan kundër.
Kjo mund të sjellë telashe për kryetarin republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili u bashkua me demokratët për të kapërcyer pengesat procedurale dhe për ta sjellë paketën e ndihmës në votim në këtë sesion të rrallë të së shtunës.
Ndërsa republikanët debatonin me njëri-tjetrin, një numër i madh kongresmenësh demokratë e shoqëruan votimin duke valëvituar flamuj të Ukrainës.
Menjëherë pas votimit reagoi Shtëpia e Bardhë, e cila i bëri thirrje edhe Senatit që të miratojë sa më shpejt paketën e ndihmës, në mënyrë që ndihmat për Ukrainën të mos vonojnë.
Miratimin në Dhomën e Përfaqësuesve e përshëndeti edhe presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, i cili në një postim në rrjetin X shprehu një falenderim të veçantë kreun e republikanëve, Mike Johnson, për vendimin që sipas tij i mban Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rrugën e duhur të historisë.
Dhoma e Përfaqësuesve votoi gjithashtu edhe pjesën e ndihmës për Izraelin dhe Tajvanin.
Tv Klan