Duke nisur nga kjo e Mërkurë deri ditën e Premte avokatët pjesë e dhomës kombëtare e avokatisë kanë vendosur që në shenjë proteste të bojkotojnë çështjet penale e civile duke shprehur solidaritet me avokatin e dhunuar Sokol Mëngjesi. Nga ky vendim përjashtohen të hyjnë në seancë gjyqësore avokatët që lidhen me masat e sigurimit.
Maks Haxhia, kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë: Të bojkotoj në shenjë solidariteti për kolegun tonë, tre ditë çështjet penale dhe civile. Nga ky vendim përjashtohen për të hyrë në seancat gjyqësore të gjithë avokatët që do të shqyrtojnë çështjet lidhur me masat e sigurimit, caktimit të masave të sigurimit, ndryshimin e masave të sigurimit, zëvendësimin e masave të sigurimit dhe shuarjen e masave të sigurimit. Për të gjithë avokatët që do të shkojnë në procese gjyqësore civile apo penale jashtë këtij rrethi të çështjes, të cilët ne e lejuam do të konsiderohet shkelje e rëndë e disiplinës dhe do i referohet direkt, do të angazhohet dhe do të vihet direkt në lëvizje Komiteti Disiplinor duke marrë masën deri në heqjen e licencës.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë vendosi po ashtu të nisë nga zbatimi një lloj vetingu në radhët e saj që sipas Maks Haxhisë nënkupton që të merren masa vetëpastruese ndaj të gjithë avokatëve që do të shkelin ligjin për avokatinë, dhe praktikat e Dhomës së Avokatisë.
Maks Haxhia, kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë: Komisioni vendosi që përveç këtyre të marrë edhe masa vetëpastruese në radhët tona ndaj gjithë avokatëve të cilët do të shkelin ligjin e profesionit të avokatit, statutin dhe kodin etikës.
Haxhia u shpreh se kjo ngjarje e rëndë ndaj avokatit Mëngjesi ishte në vazhdën e përshkallëzimeve që kanë ndodhur ndaj Dhomës së Avokatisë duke etiketuar si përgjegjës segmente të politikës, prokurorët dhe gjyqtarët.
Klan News