Gjyqtarja Flojera Davidhi ka vendosur të shtyjë për në datën 25 Nëntor seancën paraprake ndaj të pandehurve të dosjes “Partizani”. Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj theksoi se dosja është vuluminoze ndërsa paralajmëroi se do të kërkohet pushimi i çështjes.
Genc Gjokutaj, avokat: E kemi në konsiderate revokimin e masës së sigurisë dhe do kërkojmë pushimin e çështjes. Seanca është caktuar para dhjetë ditëshit, por janë 160 mijë faqe. Ne i kemi marrë aktet, sepse s’duhet vetëm lexim, por edhe konsultim, sepse aty ka edhe ujëra materiale. Ne do kërkojmë pushimin e çështjes, pastaj vendimmarrja e çështjes mbetet në vijim nga palët.
Gjokutaj theksoi se nuk ishte e nevojshme prezenca e ish kryeministrit në seancë pasi ishte thjesht një procedurë. Ai shtoi se ai do të jetë në gjyq sa herë të jetë e nevojshme.
Genc Gjokutaj, avokat: Zoti Berisha nuk është e nevojshme të paraqitet. Në seancat procedurale prezenca e tij s’është e nevojshme. Por sigurisht në seancë kur do jetë e nevojshme prezenca do të çmohet nga ai dhe ne, sepse ai do jetë pjesë e procesit në vijim.
Pas rikuperimit shëndetësor në seancë ishte dhe avokati Sokol Mëngjesi. Ai u shfaq i qeshur duke përshëndetur mediat në hyrje të gjykatës
Në seancën paraprake që do të mbahet më 25 Nëntor gjyqtarja Flojera Davidhi do të vendosë nëse do të nis gjykimi i çështjes, dosja do ti kthehet sërish SPAK ose çështja do të pushohet.
Sali Berisha akuzohet për “Korrupsioni pasiv”. Ndaj dhëndrit të tij rëndojnë dy akuza: korrupsion dhe pastrim parash. Në dosjen e ish klubit partizani janë marrë të pandehur edhe Fatmir Bekteshi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Klan News