Të gjithë kemi abuzuar nga pak për festat e fundvitit përsa i përket ushqimeve të shijshme që kemi gatuar në shtëpi, por çfarë duhet të bëjmë që te rikthehemi në formën e dëshiruar? Janë një sërë pikash që ne duhet të zbatojmë, si ushqimet që duhet të konsumojmë, të ndërthurur me aktivitetin fizik. Për të folur rreth kësaj teme, në emisioni “Rudina” në Tv Klan, kanë qenë të ftuara ish-atletisten Klodiana Shala dhe nutricionisten Diola Dosti. Diola ka tregur se lengu i selinos i cili njihet edhe si eliksiri i jetës, e pastron trupin në mënyrë të shkëlqyer.
Rudina Magjistari: Cilat janë këshillat tuaja, çfarë duhet të ndryshojmë?
Diola Dosti: Normalisht organizmit tonë i duhen 21 ditë që të ndryshojë ato zakonet e ushqimit apo mënyrën se si ne jetojmë duke përfshirë edhe pjesën e ushqimit bashkë me aktivitetin fizik. Unë gjithmonë preferoj që t’i lëmë pak pushim organizmit tonë, t’i lëmë pak hapësirë qelizave tona që të pushojnë së punuari, t’i lënë pak hapësirë edhe stomakut, edhe mëlçisë që energjia të mos fokusohet vetëm në këto dy organe por të qarkullojë në komplet organizmit tonë. Për këtë sugjeroj një detoks që është një pastrim i organizmit nga yndyrat e tepruara, nga proteinat kryesisht me origjinë shtazore që neve konsumojmë gjatë kësaj periudhe.
Kur trupi nuk e merr proteinën dhe yndyrën, fillon dhe gërryen apo kërkon atë pjesën e yndyrës së shtuar apo pjesën e yndyrës së depozituar në mënyrë që ato të treten më mirë , kështu organizmi fillon pastrohet gradualisht. Gjithmonë kur neve praktikojmë programe të ndryshme të detoksit, jo gjithmonë ndihemi shumë mirë sepse largimi i toksinave shoqërohet kryesisht me dhimbje të kokës, por kjo është një simptomë e cila na tregon që ne vërtet jemi duke u pastruar.
Një gjë shumë e thjeshtë që duhet të bëjmë në mëngjes, mos të hamë asnjëherë me zor pjesën e mëngjesit. Në qoftë se këta individë nuk duan që të konsumojnë mëngjesin, është krejtësisht në rregull që ta tejkalosh konsumin e mëngjesit, por gjithmonë duhet të dëgjojmë trupin tonë i cili është më i zgjuar se çdo mjek apo nutricionist tjetër.
Pra nëse nuk ke uri nuk është nevoja të konsumosh mëngjesin. Por në mëngjes në stomak të zbrazur, mund të konsumosh lëngun e selinosë. Ky është jo vetëm një trend, është një ndër autorët më të përfolur kohët e fundit dhe më të ndjekur nga personazhe që i përkasin botës së showbizit duke përfshirë Kim Kardashian etj, është autori Anthony William dhe në të gjithë serinë e librave që ai ka këshillon konsumimin e lëngut të selinos.
Ka përfitime të jashtëzakonshme, por e veçanta e selinos si një ushqim shumë i mirë është sepse përmban një lloj të kripërave që nuk gjenden në ushqimet e tjera dhe që pastrojnë në mënyrë të jashtëzakonshme. Lëngu i selinos jo vetëm në stomakun bosh, por 30 minuta pas konsumit të saj nuk duhet të konsumosh asnjë gjë tjetër. Lëngu i selinos njihet si eliksiri i jetës, por me shije të tmerrshme sepse ka me të vërtetë një shije shumë të keqe. /tvklan.al