Kur bëhet fjalë për shëndetin, të gjithë përpiqemi që të tregohemi sa më shumë të kujdesshëm për të pasur një imunitet të mirë e një jetë cilësore.
Pikërisht për këtë temë paneli i të ftuarve në studion e “Rudina” në Tv Klan shtriu diskutimin sa i përket 3 shtyllave elementare që ndikojnë në jetën dhe përditshmërinë tonë.
Mes ushqimit, aktivitetit fizik dhe gjumit, cila prej tyre na siguron një jetë më të gjatë? Pikërisht për këtë pyetje mjeku Piro Paparisto e kishte gati përgjigjen. Një përgjigje në fakt, e cila tregon se asnjëra prej këtyre 3 shtyllave nuk ndikon drejtpërdrejt në jetëgjatësi, por janë disa faktorë të tjerë.
Rudina Magjistari: Ushqimi, aktiviteti fizik dhe gjumi i mirë për të pasur një funksion normal gjatë ditës së nesërme dhe sigurisht për të pasur një jetë të gjatë dhe cilësore. Pra për të qenë i pavarur dhe autoefiçent deri në fund, sepse ky është qëllimi për të jetuar sa më gjatë dhe të jesh i zoti për veten, mos kesh nevojë për të tjerët. Mes këtyre të trejave, mes ushqimit dhe aktivitet fizik cili është më i rëndësishmi për të pasur një jetë të gjatë dhe cilësore?
Klodiana Shala: Unë them se janë bashkë, “motër e vëlla”, nuk ndahen. Unë jam për të dyja bashkë.
Piro Paparisto: Unë mendoj se të dyja këto kanë aktivitet të ndryshëm në organizmin e njeriut. Pra atë që ta jep ushqimi i shëndetshëm, nuk ta jep gjithmonë aktiviteti fizik dhe atë që ta jep aktiviteti fizik nuk ta jep gjithmonë ushqimi i shëndetshëm. Për shembull aktiviteti fizik mund të ndikojë tek hormonet, tek humori, mund të çlirojë sinjale të caktuara në tru që ndryshojnë humorin dhe të bëjnë të ndjehesh shumë mirë. Kurse ushqimi nuk ka këtë qëllim, ka diçka tjetër. Të dy plotësojnë njëra-tjetrën.
Rudina Magjsitari: Cili prej tyre të siguron një jetë cilësore dhe më të gjatë?
Piro Paparisto: Asnjëri prej të dyve! Është gjenetika e individit ose fati ndonjëherë që ndikon tek mënyra se si ndikojnë këto faktorë në jetën tonë. Pra në mënyrë absolute unë si profesionist me aq sa di, nuk mund të thuash një përgjigje të saktë për këtë pyetje./tvklan.al