Duke filluar nga e hëna, furgonat e mallrave që furnizojnë dyqanet nuk do të lejohet të qarkullojnë nga ora 7-9 të mëngjesit. Kjo si një masë për të shmangur fluksin e lëvizjes për shkak të nisjes së vitit të ri shkollor. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se në asnjë vend të botës nuk ndodh që furnizimet e dyqaneve të kryhen në mëngjes.
“Të hënën do të futemi me regjimin e ri të trafikut. Do të angazhojmë edhe vullnetarë për të ndihmuar fëmijët të kalojnë në vijat e bardha, përveç ndihmës nga Policia Bashkiake dhe Policia Rrugore. Në fundjavë do të publikojmë urdhërin e kryetarit të bashkisë për orarin e qarkullimit në mëngjes. Në çdo vend të botës, në orën 7:00 nuk ka njeri që vjen me makina të sjellë patatina. Gjatë kohës që shkojnë fëmijët në shkollë, nga ora 7:00 me 9:00, ne do t’i pezullojmë totalisht makinat e furnizimit.”
Në takimin me administratorët e shkollave, kryebashkiaku Erion Veliaj u ndal edhe tek protesta e opozitës përpara bashkisë.
“Veç atyre që pengojnë dezinfektimin e shkollave, kemi edhe këta që vijnë e djegin goma para bashkisë, që flasin për shkollat – se ka fëmijë që shkojnë në shkollë, por ka edhe nga këta që nuk e kanë mbaruar shkollën dhe si fëmijë nuk kanë mësuar se në jetë ka edhe humbje, s’ke çfarë i bën, rrihesh me 60 mijë vota, duhet të gjesh një punë tjetër. Për të gjithë ata që nuk e kanë mbaruar gjimnazin, por dinë të djegin goma, prandaj shkolla është e rëndësishme, ndaj duhet ta mbarosh gjimnazin, se aty kupton të bësh llogari, të mirëkuptosh edhe pse i huaji ka kosto më të lartë, se ai vjen më një rrogë tjetër.”
Veliaj tha se të hënën do të hapin dyert 400 institucione arsimore, të cilat janë dezinfektuar dhe përgatitur me të gjitha kushtet për nxënësit.
Tv Klan