Kequshqyerja po rrit sëmundshmërinë në popullatë. Sipas një studimi të OBSH për Europën, 30-50% e pacientëve të shtruar në spital rezultojnë të kequshqyer duke ndikuar në rritjen e sëmundshmërisë dhe agravimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve me kancer, diabet apo atyre me probleme kardiovaskulare.
Specialsitët e ISHP thonë se dhe Shqipëria po ndjek të njëjtin trend si Europa në rritjen e sëmundshmërisë e lidhur nga kequshqyerja. Sipas tyre në vendin tonë 30 % e sëmundjeve i atribuohet këtij fakti.
“Ashtu si në botë edhe në Shqipëri ne po ndjekim të njëjtin trend, kemi një rritje të sëmundshmërisë kronike dhe kjo edhe si mungesë e aktivitetit fizik. Kequshqyerja përbën 30 % të problemeve që sjell në ardhmen në organizmin e njeriut. Nga kequshqyerja mund të ndikojnë pacientët që janë të sëmurë kronikë, ata me dializë”, tha Alba Merdani, specialiste ISHP.
Jo vetëm konsumi i pakët, por edhe i tepërt ndikon në organizëm.
“Konsumi më i pakët i ushqimeve se sa duhet, pra kequshqyerja mund të shkaktojë probleme shëndetësore të tilla si anoreksia, probleme që vuajnë nga veshkat, çrregullime të sistemit përsa i përket hipertensionit. Sikurse edhe marrja e tepërt e sasisë ushqimore, mund të sjellë obezitet apo probleme të tjera që lidhen me sëmundjet kardiovaskulare”, tha Merdani.
Sëmundjet jo të transmetueshme, ato kardivaskulare, të frymëmarrjes dhe tumoret shkaktojnë 90 % të vdekjeve në Europë.
Ekspertët e shëndetësisë botërore theksojnë se për të patur një ulje të sëmundjeve në popullatë duhet një identifikim i hershëm i rrezikut të kequshqyerjes.
Po ashtu duhet një vlerësim i detajuar që përcakton shkakun dhe ashpërsinë e kequshqyerjes dhe trajtim të personalizuar, kjo mund të përfshijë rregullime dietike.
Tv Klan