Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka organizuar ditën e sotme aktivitetin tradicional për Ditën e Kujtesës për të përkujtuar dhe për të nxjerrë mësime nga një prej kapitujve më të errët të historisë njerëzore: Holokaustin.   Nën emërtimin “Ndërtimi i një të ardhmeje tolerance”, aktivititeti u konceptua si një panel i hapur diskutimesh në praninë e trupit diplomatik, deputetëve, akademikëve, ekspertëve, nxënësve të shkollave etj.  

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani e vlerësoi këtë aktivitet si një moment thirrjeje për të riafirmuar përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj humanizmit dhe drejtësisë, për të mbajtur të gjallë kujtimin e atyre që vuajtën dhe për të vazhduar me vendosmëri betejën për një botë ku urrejtja dhe diskriminimi të mos kenë vend, në përpjekje për të ndërtuar së bashku një të ardhme të mirë njërezore të bazuar në tolerancë.

Ndër të tjera ai vlerësoi se kujtesa është mburoja që kemi kundër përsëritjes së tmerreve të së kaluarës, duke nënvizuar rëndësinë e edukimit të të rinjve:  

“Por, kujtesa vetë është e pamjaftueshme; duhet të angazhohemi që të edukojmë brezat e rinj, për të ruajtur të vërtetën dhe për të ushqyer në ta vlerat e dinjitetit dhe tolerancës. Edukimi është drita që do të na udhëheqë në errësirën e injorancës dhe do të na ndihmojë të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë. Prandaj, është detyrë e jona që t’u japim mundësinë rinisë jo vetëm të mësojë për tmerret e së kaluarës, por edhe për të forcuar vlerat që janë në themel të paqes dhe drejtësisë”.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Hasani u ndal edhe tek shembulli i guximshëm i Shqipërisë, e cila u shndërrua në një oaz shprese e solidariteti ndaj mbrojtjes së hebrenjve:

“Ata që arritën të gjenin strehë në këtë tokë, shpëtuan nga kthetrat e vdekjes, sepse këtu gjetën mbrojtje dhe ngrohtësi nga një popull që mbante dhe respektonte Besën një fjalë e shenjtë, një angazhim i pakontestueshëm, një premtim që çdo shqiptar e mban deri në fund të jetës”.

Në fund, Hasani apeloi fort ndaj çdo aktori për të ndërmarrë veprime konkrete dhe të padiskutueshme ndaj antisemitizmit, si një kërcënim i rëndë për të gjithë.

“Antisemitizmi është një kërcënim i rëndë për të gjithë ne, një plagë që shkatërron thelbin e shoqërive tona dhe përmbys vlerat më themelore të njerëzimit. Nuk ka më kohë për heshtje; duhet të ndërmarrim veprime konkrete të padiskutueshme për të ndaluar këtë virus të urrejtjes dhe për të mbrojtur pa kompromis të drejtat e njeriut. Vetëm duke u bashkuar, me vendosmëri dhe njëzëri, mund të ndërtojmë një botë më të drejtë, më të sigurt dhe më të tolerueshme.”

/tvklan.al