Bota shënoi 80-vjetorin e çlirimit të ish kampit famëkeq nazist të Aushvicit në Poloni. Ky ishte kampi më i madh i shfarosjes së Gjermanisë naziste.

Të paktën 1.1 milion njerëz mendohet se janë vrarë në Aushvic gjatë Luftës së Dytë Botërore, rreth 90 për qind e të cilëve ishin hebrenj.

Disa nga të mbijetuarit e torturave kanë marrë pjesë në ceremonitë përpara Murit të Vdekjes. Presidenti Andrzej Duda bëri homazhe për viktimat si dhe vendosi një kurorë lulesh përpara memorialit aty ku nazistët pushkatuan mijëra njerëz, kryesisht polakë.

Disa nga të mbijetuarit mbanin shalle me vija blu dhe të bardha, që të kujtonin uniformat e kampit me vija.

Në këtë ditë ndërkombëtare të përkujtimit të holokaustit Presidenti Duda ka bërë thirrje për ndërgjegjësimin e brezave përballë këtyre historive të shfarosjes në këtë kamp përqëndrimi për të qenë rojtarët e kujtesës që ato të mos ndodhin më kurrë.

Delegacione nga e gjithë bota përfshirë Mbretin e Britanisë Charles III dhe Presidentin francez Emmanuel Macron dhe atë gjerman Frank-Walter Steinmeier marrin pjesë në këto homazhe në atë që konsiderohet si më i madhi nga kampet e shfarosjes simbol i gjenocidit që ushtroi në Luftën e dytë Botërore Gjermania naziste.

Në reagimin e tij Presidenti Begaj thekson se Holokausti, është ana e errët që rëndon përjetë ndërgjegjen e njerëzimit.

Për kryediplomatin Hasani ky ështe një rast solemn që na sfidon të gjithëve të mësojmë nga historia duke nderuar gjashtë milionë gra, fëmijë dhe burra hebrenj të cilët humbën jetën gjatë Holokaustit.

Klan News