27 Janari shënon Ditën Përkujtimore të Holokaustit ndaj hebrenjve, një prej krimeve më të rënda të genocidit në histori. Lidhur me këtë, ka pasur reagime nga politika shqiptare. Presidenti Bajram Begaj e quan “anën më të errët që rëndon përjetë ndërgjegjen e njerëzimit”.

“Ne përkujtojme ato krime të tmerrshme në mënyrë që të mbeten në memorien tonë dhe të të gjithë botës si dëshmi e faktit se ku çon degradimi politik dhe verbimi pas ideologjive totalitare. Populli ynë dëshmoi në kohën e luftës se shpirti i tij mbeti i pastër, mbrojti dhjetëra hebrenj nga persekutimi apo zhdukja, duke u bërë shembull i mrekullueshëm për gjithë historinë tonë. Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, lutemi për miliona viktimat e holokaustit dhe lutemi që kurrë më mynxyra të tilla të mos ndodhin”, thotë Kreu i Shtetit në një reagim.

Edhe Ministri i Jashtëm Igli Hasani e cilësoi një rast solemn që na sfidon të gjithëve të mësojmë nga historia.

“Në 80-vjetorin e Çlirimit të Aushvicit dhe Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nderojmë gjashtë milionë gra, fëmijë dhe burra hebrenj, të cilët humbën jetën gjatë Holokaustit, së bashku me të tjerë të panumërt që iu rezistuan vuajtjeve të paimagjinueshme”, shkruan ai në “X”.

Për kryeparlamentaren Elisa Spiropali, kjo është një ditë e jashtëzakonshme që na bën të ndihemi krenarë për miqësinë, dashurinë dhe mbrojtjen e hebrenjve.

“Shqipëria ishte i vetmi vend, i cili në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kishte më tepër hebrenj se në fillim të saj. Është fakt i njohur botërisht se në Shqipëri hebrenjtë u mbështetën dhe u mbrojtën nga të gjithë shqiptarët, populli dhe institucionet, pavarësisht bindjeve politike apo përkatësive fetare. Për nga kontributi për mbrojtjen dhe mbështetjen e hebrenjve, Shqipëria është njohur e vlerësuar si një atdhe tjetër, atdhe rezervë, për ta. Rezoluta mbi Antisemitizmin, miratuar nga Kuvendi dhe Forumi i Parë Ballkanik kundër Antisemtizmit, organizuar nga Kuvendi në tetor 2020, e kanë bërë Shqipërinë lidere rajonale në luftën kundër antisemitizmit. Ne, shqiptarëve, na bën krenar fakti që  mbrojtja e hebrenjve në trojet tona mësohet nga nxënësit e shkollave në Izrael, si një mirënjohje për marrëdhënien tonë të veçantë përgjatë shekujve”, thuhet në reagimin e Spiropalit.

Në kuadër të kësaj dite, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, bashkë me krerë delegacionesh nga e gjithë bota, do të jetë sot në Poloni ku do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të çlirimit të Aushvicit.

/tvklan.al