Në Konferencën e Komisioneve Parlamentare për Integrim të Evropës Juglindore, opozita hodhi poshtë pretendimet e Kryeministrit Rama.
“Shqipëria nuk ka asnjë dyshim që të ardhmen e saj e ka në Bashkimin Europian dhe ky është një qëllim i përbashkët, jo vetëm i qeverisë por është qëllim i përbashkët i të gjitha forcave politike. Dua të shpreh edhe njëherë gatishmërinë dhe angazhimin e opozitës shqiptare që ky proces, megjithëse në mungesë të rezultateve konkrete në shumë prej fushave, të vazhdojë. Është e nevojshme tashmë që të ofrohet transparencë, mbi të gjitha kushtet dhe politikat e qeverisë përsa i përket pozicioneve negociuese”, u shpreh Jorida Tabaku.
Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan A, që është Bashkimi Evropian theksoi kryeparlamentarja Spiropali.
“Shqipëria nuk ka asnjë plan B, por vetëm një plan A për të ardhmen e saj që është Bashkimi Europian. Prandaj shumica dhe pakica e Kuvendit të Shqipërisë që nuk bien dakord as për datën në kalendar janë në një mendje dhe kanë një konsesus të plotë për destinacionin europian të Shqipërisë. Shqipëria ka shpallur aktualisht anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda vitit 2030, si një objektiv strategjik kombëtar”, tha Spiropali.
Kryediplomati Hasani tha se nuk ishte për fushatë aty, por për të kërkuar bashkëpunim me qëllim integrimin e vendit në BE.
“Katër nga gjashtë grupkapitujt janë hapur tashmë dhe në Qershor presim të hapim dhe dy të fundit dhe nga Dhjetori i këtij viti nisim me mbylljen e kapitujve të parë”, tha Hasani.
Klan News