Kryediplomati Hasani deklaroi se Holokausti mbetet një dëshmi e fuqishme e diskriminimit të njerëzimit, ku 6 milionë hebrenj u shfarosën për shkak të origjinës së tyre.

Sipas Hasanit, Shqipëria është një nga shembujt më të guximshëm të atyre shteteve që strehuan hebrenjtë.

“Mes një Evrope të mbyllur dhe të pushtuar, Shqipëria u bë një shembull shprese, i vetmi vend i pushtuar europian ku pas Luftës së Dytë Botërore, popullsia hebraike u shumëfishua, ndoshta duhet të ishte dhe më shumë, por respekt dhe për atë që është bërë”, tha Igli Hasani.

Hasani tha se diskriminimi nuk duhet që të ketë më vend, por të ndërtohet një e ardhme e bazuar në tolerancë.

“Një nga sfidat më të mëdha të kohëve tona është lufta kundër antisemitizmit. Ky fenomen i cili i ka rrënjët e thella dhe është po aq i vjetër sa dhe i ri, mbetet një kërcënim serioz për vlerat tona demokratike, sigurinë e shoqërive dhe të drejtat themelore të njeriut”, tha Hasani.  

Kujtesa është mburoja që kemi kundër përsëritjes së tmerreve të së kaluarës”, theksoi Hasani.

Klan News