Faza e parë e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit duket se nuk po shkon në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ndër të tjera së fundi, Hamasi thotë se bisedimet me Izraelin rreth hapave të mëtejshëm në marrëveshjen e armëpushimit të Gazës mbeten të kushtëzuara nga lirimi i të burgosurve palestinezë, siç është rënë dakord.

Kujtojmë se Izraeli të dielën tha se po vononte lirimin e më shumë se 600 palestinezëve në këmbim të gjashtë pengjeve, duke akuzuar Hamasin për shkelje të përsëritura, duke përfshirë ceremonitë që zhvillohen gjatë dorëzimit.

Militantët e Hamasit zhvillojnë ceremoni gjatë dorëzimit të pengjeve tek ndërmjetësuesit e kryqit të kuq, ku marrin pjesë palestinezë të shumtë të Rripit të Gazës. Shpesh herë, turmat e ekzaltuara venë në rrezik jetët e pengjeve dhe kjo ka shkaktuar shqetësim të thellë tek autoritetet izraelite. 

Një zyrtar i lartë i Hamasit tha se vendimi i Izraelit, e ekspozoi të gjithë marrëveshjen në rrezik, teksa u bëri thirrje ndërmjetësve, veçanërisht SHBA-së, të bëjnë presion mbi Izraelin.

Deri më tani janë liruar 33 pengje izraelite nga rreth 100 që kishin mbetur./tvklan.al