Prej disa ditësh, në Itali është ndezur një debat publik e kjo për shkak të këngës përfaqësuese të Estonisë në Eurovizion.

Kënga “Espresso Macchiato” e këngëtarit Tommy Cash po kritikohet për tekstin, i cili satirizon kulturën italiane. Cash fitoi finalen kombëtare të Estonisë të shtunën më 15 Shkurt, duke fituar me një diferencë të madhe ndaj garuesve të tjerë.

Kënga është bërë virale në rrjetet sociale në një kohë shumë të shkurtër falë ironisë për kulturën italiane, e cila është e dukshme si në tekst, ashtu edhe tek imazhet në video.

Codacons, një organizatë që mbron të drejtat e qytetarëve në Itali thotë se kënga dëmton imazhin e vendit dhe për këtë arsye ka paraqitur një ankesë tek organizatorët e Eurovizionit duke kërkuar përjashtimin e këngës nga konkursi.

Mbetet për t’u parë se si do të përgjigjen organizatorët e Eurovizionit dhe çfarë ndikimi do të ketë kjo polemikë në performancën e Tommy Cash gjatë konkursit.

Klan News