Zjarrfikësit shqiptarë janë pajisur me bazë të re materiale falë një donacioni të ‘shoqatës së vullnetarëve shqiptarë në Livorno’ të Italisë.
Pajisjet e reja konsistojnë në doreza, kokore, barrela, litarë dhe elemente të tjera të cilat ndihmojnë zjarrfikësit për misionet e tyre të shpëtimit në terrene të vështira malore dhe në lartësi.
Komisari Arben Cara i Shërbimit Zjarrfikës të Stacionit Nr.1 të Tiranës, thotë se për të përdorur me efikasitet këto pajisje, ekipi i zjarrfikësve është trajnuar nga ekspertë të fushës.
Këto janë edhe momentet kur zjarrfikësit shqiptarë trajnohen për misione në terrene të vështira.
Për pajisjet e reja të zjarrfikësve ka kontribuuar edhe një ekip italian. Një falenderim shkon edhe për shoqatën e shqiptarëve të Livornos.
Pas trajnimit të specializuar, 20 zjarrfikësve shqiptarë iu shpërndanë certifikatat në një ceremoni të posaçme, ku e pranishme ishte nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Anuela Ristani. /klanplus