Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj raporton se është arrestuar Emiljano Nina, i cili ishte shofer i makinës që përfundoi mbi digën e liqenit në Tiranë.
Sipas të njëjtave burime, Nina është arrestuar në banesën e tij në zonën e “5 Majit” në kryeqytet. Me vete nuk i është gjetur asnjë send i kundraligjshëm, por mësohet se policia akoma po ushtron kontroll në banesën e tij.
Kujtojmë se protagonistë në aksidentin e pazakontë të ndodhur te liqeni mëngjesin e 22 Gushtit, nuk ishte një person, por 3. Si drejtues të makinës tip BMW X6 që ngjiti skarpatën e digës së liqenit me shpejtësi skëterr, policia identifikoi Emiljano Ninën, 28-vjeçarin me precedentë të mëparshëm penal.
Policia Rrugore e Tiranës tha se shkak për aksidentin e pazakontë ishte shpejtësia shumë e lartë, që bëri 28-vjeçarin të humbasë kontrollin e makinës. Uniformat blu thanë se kanë referuar në prokurori shtetasin Emiliano Nina për 7 akuza, më të rëndat prej tyre ato të drejtimit të mjetit në mënyrë të parregullt dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
“Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Escape”, për kapjen e një shtetasi në kërkim. Kapet dhe vihet në pranga një 28-vjeçar, i cili në muajin gusht të këtij viti, përplasi automjetin që drejtonte me shpejtësi së lartë, me bordurën anësore te Liqeni Artificial, dhe më pas u largua. 28-vjeçari, i shpallur në kërkim edhe për dhunë në familje, pasi është dënuar me 8 muaj burgim, për këtë vepër penale. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar në të dhënat për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore. Për këtë rast është finalizuar operacioni policor i koduar “Escape”, si rezultat i të cilit, mbrëmjen e djeshme, në rrugën “5 Maji”, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi: Emiljano Nina, 28 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas, në muajin gusht të këtij viti, duke drejtuar një automjet tip “BMW”, për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore te Liqeni Artificial. Pas aksidentit, ky shtetas është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu, ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 8 muaj burgim, për këtë vepër penale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia për rastin.
Ndryshe nga sa policia mendoi në fillim, në makinë bashkë me Ninën gjatë udhëtimit të shpejtë në ‘Rrugën e Kosovarëve’, rezultoi të kishte qenë shtetasin Jurgen Allushi, një 25-vjeçar, i cili pas ngjarjes është larguar bashkë me drejtuesin. Për këtë ai është referuar në gjendje të lirë për akuzën e moskallëzimit të krimit.
Por arrestimit nuk i shpëtoi as pronari i makinës, Eldi Allushi, i cili u vu në pranga me dyshimet se ka penguar zbardhjen e të vërtetës me largimin dhe dëshmitë paraprake, nuk ka kallëzuar krimin dhe ka përkrahur autorin e ngjarjes.
Ai u lokalizua dhe shoqërua nga policia disa orë pas ngjajres, pasi ishte larguar për të shmangur përgjegjësitë dhe detyrimin për të kallëzuar./tvklan.al