Tregu i automobilave në vendin tonë po orientohet gjithnjë e më tepër drejt makinave elektrike dhe atyre hibride vitet e fundit. Referuar të dhënave te Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor tregojnë se në muajt Janar-Prill të këtij viti janë regjistruar 92% më shumë mjete vetëm elektrike “Green” miqësore me ambientin në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky institucion nënvizon se gjatë 4 muajve të 2024, mjete 100% elektrike “Green” janë 818 të tilla të regjistruara ose 370% më shumë krahasuar me Janar-Prill 2022. Ndërkohë sipas të dhënave 16.9% e këtyre mjeteve elektrike, të regjistruara ishin me zero kilometra, pra dalin për herë të parë në qarkullim, ose 7% më shumë krahasuar me 4 mujorin e parë të 2023. Ndërsa në total vetem në prill flota e mjeteve elektrike ishte 4,120 mjete. Mjete elektrike dhe hibride gjatë muajve Janar-Prill të këtij viti janë 1,529 të regjistruara. Kjo është 261% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022 dhe 99% më shumë krahasuar me Janar-Prill të vitit 2023.
Referuar të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor 37% e autoveturave të regjistruara për herë të parë janë elektrike dhe hibride.
Teksa interesi për mjete elektrike është gjithmonë e më i lartë duket se ajo që e kufizon këtë rritje që të jetë më e shpejtë është mungesa e infrastrukturës së karikimit për këto mjete. Enti Rregullator i Energjisë raportoi se gjatë vitit 2023, janë instaluar 26 pika të reja për njësi të karikimit të makinave elektrike, përkatësisht në Tiranë dhe Durrës.
Klan News