Konsumatorët në Evropë do të përballen me çmime më të larta për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë pasi tarifat shtesë hynë në fuqi.
Tarifat nga 7.8% për Teslan deri 35.3% për makinat elektrike kineze synojnë të mbrojnë sektorin e automobilave të Evropës, por ato mund të përshkallëzojnë një luftë tregtare me Kinën. Prodhuesit kinezë të automjeteve i kanë quajtur tarifat shtesë “proteksioniste” dhe “arbitrare”.
“Kina nuk pranon vendimin. Pekini shpreson të gjejë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët sa më shpejt të jetë e mundur për të shmangur përshkallëzimin tregtar”, tha në një deklaratë Ministria e Tregtisë e Kinës.
Ato pritet të zbatohen për pesë vjet, përveç taksës standarde prej 10 për qind të Bashkimit Evropian në import të makinave. Komisioni Europian ka thënë se tarifat kërkohen për të kundërshtuar ato që thotë se janë subvencione të padrejta. Masat tregtare vijnë pavarësisht kundërshtimeve të ashpra prej Gjermanisë, e cila ka ngritur shqetësimin se veprimet hakmarrëse mund të dëmtojnë industritë e saj.
Prodhuesit evropianë të automjeteve po përballen me një fluks të automjeteve elektrike me kosto më të ulët nga rivalët kinezë. Tensionet për eksportet kineze janë rritur në muajt e fundit, pasi Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë akuzuar Pekinin se po përkrah sektorët, sikurse ai i teknologjisë së gjelbër, me subvencione masive shtetërore.
Klan News