Këshilli i Ministrave ka rishikuar Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën 2020-2030, ku në fushën e transportit janë parashikuar një sërë masash në drejtim të eficiencës së energjisë dhe mbrojtjen e klimës.
Plani i rishikuar është hedhur për konsultim publik. Ndër masat që do të merren është përdorimi i automjeteve me eficiencë energjie, duke u dhënë prioritet makinave elektronike si dhe përmirësimi i cilësisë së rrugëve, por edhe i linjave hekurudhore.
Sipas këtij drafti të hedhur për konsultim publik, planifikohet promovimi i transportit rrugor publik i udhëtarëve apo edhe kufizimi i përdorimit të automjeteve, ku një opsion është përdorimi i automjeteve në ditë të caktuara të javës.
“Caktimi i taksave të qarkullimit dhe kufizimi i përdorimit të automjeteve, përdorimi i tyre në ditë të caktuara të javës, p.sh. sipas targës së makinës.”
Këto masa parashikohen të nisin zbatimin brenda 2025-ës. Kufizimi i përdorimit të automjeteve sipas targës është një masë që e kanë ndërrmarrë disa shtete në Europë, Amerikë dhe Azi, të cilat e kanë zbatuar në qytete specifike për të reduktuar ndotjen e ajrit dhe trafikun.
Edhe në Shqipëri për të reduktuar ndotjen, në Prill të 2022 qeveria ka marrë vendimin që e diela e parë e çdo muaji do të jetë dita pa makina në qytetet kryesore të vendit, por kjo masë me përjashtim të disa muajve të parë pas miratimit, nuk është zbatuar më.
Në këtë draft, përparësi do t’i jepet makinave elektrike, ku për 5 vitet e para ato përjashtohen nga taksat dhe nuk paguajnë as TVSH, prej 20%.
Brenda vitit 2025 parashikohet ngritja e mbi 200 deri në 300 stacione karikimi në të gjtihë vendin. Në rishikimin e Planit parashikohet që deri në vitin 2030, 10% e të gjithë automjeteve që përdoren në territorin shqiptar të jenë automjete elektrike. Drafti do të jetë i hapur për konsultime publik deri më 14 Shkurt 2025.
Klan News