Në 80% të rasteve me kancerin e mushkërive, shkaktari kryesor është duhanpirja sipas specialistëve të Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”. Numri i personave që preken nga ky tumor ka ardhur në rritje sipas mjekut pneumolog, Arben Tanka.

“Kanceri i mushkërive ka një trend në rritje dhe kjo është edhe si pasojë se duhanpirja është shtuar duke gjykuar se nëse deri para viteve 90’ ishte një ekskluzivitet pothuajse i burrave, tashmë duhani konsumohet dhe nga gratë. Ne kemi një rritje të rasteve që diagnostikohen çdo vit. Zbulohen më shumë raste të kancerit të mushërive çdo vit.”

Mjeku thekson se probleme shkakton edhe qëndrimi në ambiente ku konsumohet cigarja, por dhe disa faktorë të tjerë.

“Është edhe duhanpirja pasive, pra personat që janë në ambiente ku konsumohet duhan, por nuk janë vetë aktivë, në mënyrë pasive, ata e pinë duhanin.”

Nëse deri para pak vitesh ky problem shëndetësor i mushkërive prekte kryesisht moshat e treta, tashmë po ndeshet edhe tek më të rinjtë.

“Predominon nga mosha 54 vjeç deri tek 75 vjeç, por ai prek të gjitha grupmoshat. Nëse dikur rastet me kancer në mushëri, poshtë të 40-ane ishin të rralla, tashmë kemi parë edhe raste që kanceri i mushkërive shfaqet tek të rinj nën 40-vjeçarë.”

Sipas shifrave zyrtare, rreth 700 raste të reja në vit evidentohen me kancer të mushkërive në vendin tonë, ku shumica e tyre zbulohen kryesisht nga ekzaminimet në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Klan News