Merr fund pas 8 vitesh martesa mes Princit Leka II dhe aktores Elia Zaharia. Lajmi u njoftua nga familja mbretërore shqiptare, në një postim që e ndau vetë Princi Leka në rrjetet sociale.
“Me anë të këtij postimi ju komunikoj zyrtarisht se LTM Princ Leka dhe Elia Zaharia kanë rënë dakord që martesës së tyre t’i jepet fund. Duke qenë se martesa e ka humbur funksionin e saj, kanë parë të udhës ta zgjidhnin atë me pëlqim reciprok, duke filluar procedurat e nevojshme ligjore. Pavarësisht besimit tek instituti i familjes, LTM Princ Leka II beson se vlerat e respektit dhe mirëkuptimit reciprok do të përbëjnë bazën e marrëdhënies në vijimësinë e saj që do të ketë si motiv rritjen dhe edukimin e LSM Princeshës Geraldinë!!!”, thuhet në postim.
Divorcin e konfimoi edhe vetë Elia Zaharia, e cila po në një postim në rrjetet sociale shprehet se ndarja nuk e lumturon, por “ndonjëherë qenka e vetme rrugëzgjidhje” (Lexo më shumë).
“Miq dhe dashamirës. Më duhet t’ju komunikoj që sot filluam procedurat ligjore për zgjidhjen e martesës, pasi vendosëm bashkërisht të kërkojmë zyrtarizimin e divorcit! Ky nuk është aspak një realitet që më lumturon, pasi besoj në vlerat e familjes si gjënë më të shtrenjtë! Kurrsesi nuk do kisha zgjedhur për vajzën time të rritej me prindër të ndarë, por ndonjëherë ndarja qenka e vetmja rrugëzgjidhje! Ajo ç’ka ka më shumë rëndësi, është që vogëlushja ime ta përjetojë këtë moment sa më lehtë të jetë e mundur! Ju falenderoj shumë të gjithëve ju që më keni shkruar e më keni dhënë kurajo! Pavarësisht këtyre muajve të vështirë që kam kaluar, dashamirësia juaj më ka dhënë forcë! Ju uroj shëndet e lumturi në familjet tuaja!”,
Princ Leka dhe Elia Zaharia u kurorëzuan në martesë në vitin 2016, pas një historie dashurie disa vjeçare (Lexo më shumë).
Ata janë prindër të një vajze 4-vjeçare, Princesha Geraldinë (Lexo më shumë).
Kohët e fundit ishte përfolur për një ndarje të mundshme mes tyre për shkak se nuk ishin shfaqur më bashkë në foto apo evente publike. Zëra ka pasur po ashtu se Princ Leka është në një histori të re dashurie./tvklan.al