Balluku: Shpallim fituesin dhe hapim garën për ndërtimin
Tenderi për ndërtimin e tunelit të Llogarasë do të hapet këtë vit, dhe pritet që menjëherë pas zhvillimit të garës të nisin edhe punimet për ndërtimin e kësaj vepre.
Dy projekte inxhinierike janë në garë për t’u përzgjedhur nga autoritetet se si do të jetë tuneli. E para është projekti i konsorciumit austriak IC Consulting, që parashikon ndërtimin e një tuneli me gjatësi 5930 metra, ndërsa gjatësia e urës reduktohet në 120 metra dhe ka një zhvendosje nga rruga fillestare ku projektohej fillimisht nisja e veprës.
Projekti i dytë në garë është i një konsorciumi Italian SWS, një prej kompanive të të cilës ka ndërtuar tunelin më të gjatë në botë Itali-Austri. Projekti i tyre parashikon ndërtimin e një ure me gjatësi 180 metra dhe gjatësia e tunelit varion nga 5.7-6 kilometra.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, tha se projekti fitues do të shpallet ditën e mërkurë.
Belinda Balluku: Na duhet që të nisim sa më parë mundësisht brenda këtij viti procesin e tenderimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Kriter përcaktues për projektin që do të fitojë garën është edhe kostoja e ndërtimit të veprës dhe harmonia me mjedisin, duke qënë se tuneli do të ndërtohet në një zonë të mbrojtur siç është Parku Kombëtar i Llogarasë.
Blendi Klosi: Nga investitorët shqiptarë e pastaj nga investitorët e huaj të cilët janë shumë të interesuar për zonën e bregut të Shqipërisë nëpërmjet investimit që do të realizohet në tunelin e Llogarasë do të mund të ofrojmë një shërbim elitar për gjithë zonën e bregdetit.
Tuneli do të ketë dy korsi në secilin krah të tij, njëri me gjerësinë 3.5 metra dhe një korsi emergjence prej 1.25 metrash. Shpejtësia e lëvizjes së automjeteve do të jetë deri në 80 kilometra në orë, çka mundëson kalimin e Qafës së Llogarasë për 7 minuta.
Tuneli do të jetë me pagesë për automjetet që do ta përshkojnë atë, por do të jetë studimi i fiizbilitetit ai që do të përcaktojë tarifën. E gjithë vepra do të financohet nga buxheti i shtetit, me ndihmën e institucioneve financiare ndërkombëtare përmes kredive të buta.
Tv Klan