Vlora është tronditur nga një ngarje e rëndë mesditën e kësaj të diele. Dy të vrarë dhe një i plagosur është bilanci i një atentati të ndodhur në zonën e Ujit të Ftohtë. Tre persona po udhëtonin në një makinë kur janë gjetur nën bresherinë e armëve. Si pasojë kanë mbetur të vdekur në vend Arjan Hasani dhe Orest Hoxha, ndërsa Armando Sulejmani është plagosur dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Njëri prej viktimave ka mundur të dalë nga makina por plumbave nuk u ka shpëtuar, viktima tjetër është gjetur në mjetin Volkswagen Passat në të cilin udhëtonin. Blutë kanë bërë rrethimin e zonës dhe janë vënë në ndjekje të autorëve të krimit të cilët janë larguar me makinë nga vendi i krimit. Mjeti është gjetur i djegur në Babicë, aty ku kanë humbur edhe gjurmët e atentatorëve.
Në makinë janë gjetur edhe tre kallashnikovë të cilët janë përdorur nga autorët. Grupi hetimor ka marrë dëshmitë e disa personave në zonën ku ndodhi ngjarja, por deri tani dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar zbardhjen e saj.
Disa pista hetimore po ndjek policia dhe Prokuroria e Vlorës. Ka dyshime se objektiv i atentatit të ketë qenë i plagosuri Armando Sulejmani i cili njihet edhe me nofkën “Çipuri” . Ai ka qenë pjesëtar i bandës së Gaxhait dhe ka qenë i dënuar për vrasje, ndërsa është liruar 3 vite me parë. Njëra pistë është ajo e një hakmarrje të mundshme. Në 2016, 42- vjeçari mbeti i plagosur në një atentat organizuar ndaj tij në Vlorë. Megjithatë pista kryesore që po ndjek grupi hetimor është ajo e një larje hesapesh mes grupeve rivale në Vlorë. Dyshohet se ngjarje e kësaj të diele të ketë lidhje me atentate dhe vrasjen e ndodhura në qytetit bregdetar 2 vitet e fundit.
Tv Klan