Emisioni “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus trajtoi mbrëmjen e së hënës ngjarjet e bujshme të grabitjeve të Rinasit. Për emisionin foli nga burgu 313 Aleksandër Murataj, vëllai i të ndjerit Admir Murataj. Aleksandër Murataj është i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda e Shkallës së Parë me 24 vite burgim si person i dyshuar për përfshirje në grabitjen e parave të bankës në rrugën e Rinasit në vitin 2017.
Sipas akuzës, Aleksandër Murataj dyshohet se ka ndihmuar grupin e grabitësve të parave. Në emision shfaqen disa foto të Aleksandrit që ndodhet tek vila në Prezë në pronësi të vëllait të tij të ndjerë Admir Murataj, në datën 10 Shkurt 2017.
Në këto foto shfaqet edhe një automjet tip “Peugeot Partner”, që konsiderohet provë kyçe për hetimet, sepse dyshohet që kjo makinë të jetë përdorur në dy grabitje. Por mjeti në fjalë nuk është arritur të gjendet kurrë ende sot e kësaj dite.
Në oborrin e vilës së Admir Murataj shfaqet edhe një fuoristradë tip Toyota, në drejtimin e së cilës është Aleksandër Murataj. Ky i fundit, gjatë intervistës në emision, pranon se makina Toyota drejtohet prej tij, por nuk ka dijeni për automjetin tjetër “Peugeot Partner”, edhe pse dy mjetet në dosjen e prokurorisë shfaqen njëra pas tjetrës në autostradë në drejtim të Vorës.
Spartak Koka: Ditën e nesërme ju fiksoheni në një automjet Toyota. Në pronësi të kujt është ky automjet?
Aleksandër Murataj: Automjeti nuk e di në pronësi të kujt është, nuk e kam parë. Ka qenë në përdorim të vëllait, e përdorte vëllai gjithnjë. Me thënë të drejtën nuk e kam parë librezën e makinës.
Spartak Koka: Po përse jeni rikthyer të nesërmen tek shtëpia e vëllait tuaj?
Aleksandër Murataj: Më tha thirrur vëllai.
Spartak Koka: Për çfarë ju ka thirrur?
Aleksandër Murataj: Më ka thënë vëllai që hajde çik për këtë makinën Toyota se ka pasur një problem të vogël aty te pompa e naftës edhe çoje tek servisi, kaq.
Spartak Koka:
Ndërkohë në oborrin e banesës së vëllait tuaj shfaqet një automjet tjetër, një
“Peugeot partner”. Është një Peugeot ngjyrë e bardhë e cila sipas referimeve të
Prokurorisë, thuhet që është e njëjta Peugeot e cila shfaqet në grabitjen e parë
të Shkurtit të vitit 2015 të bankës tek Stacioni i Trenit, dhe është e njëjta
Peugeot që shfaqet në oborrin e shtëpisë së Admir Murataj, dhe më pas ju
lëvizni para dhe Peugeot lëviz mbrapa në drejtim të Vorës. Përse po lëviznit me
dy automjetet në drejtim të Vorës?
Aleksandër Murataj: Unë po lëvizja
me Toyotën, nuk kam lidhje me Peugeot.
Spartak Koka:
E kujt është Peugeot?
Aleksandër Murataj: Peugeot nuk e
kam parë asnjëherë në jetën time, as nuk e kam parë, as nuk e kam prekur me dorë.
Spartak Koka: Janë dy automjete në lëvizje. Tek Toyota jeni ju, tek Peugeot që ju ndjek juve mbrapa çfarë lidhje keni?
Aleksandër Murataj: Po ta shikosh aty në dosje te vërtetimet e prokurorit, thotë z.Aleksandër Murataj mori drejtimin e automjetit Toyota duke u ndjekur nga i ndjeri vëllai im. Dhe po të njëjtën orë, kamerat e sigurisë të shtëpisë së të ndjerit vëllait tim Admir Murataj, e nxjerrin vëllain tim tek oborri i shtëpisë. Prokurori si mund t’ja shpjegojë mua, apo ty, apo publikut si ka mundësi një gjë e tillë? Si mund të ndodhi?
Spartak Koka: Thuhet që “Peugeot partner” është futur në garazhdet e pallatit të apartamentit ku ju keni në pronësi në zonë e Vorës, dhe Peugeot më mbrapa nuk gjendet më kurrë. Çfarë do Peugeot tek pallatet ku ju keni apartamentin?
Aleksandër Murataj: Unë aty kam një hyrje. Është e drejtë që unë të mbaj përgjegjësi për 300 ose 400 parkingje ose garazhde ose 250 hyrje të tjera.
Spartak Koka: Në automjet thuhet që të ketë qenë vëllai juaj, Admir Murataj.
Aleksandër Murataj: As që ka qenë vëllai im..kjo është problemi këtu se e kanë manipuluar. Kamerat e sigurisë në atë orë që ka ikur Peugeot, vëllain tim e nxjerrin tek shtëpia, te oborri i shtëpisë së vetë, te banesa e vetë.
Spartak Koka: Pra për Peugeot ju nuk keni dijeni.
Aleksandër Murataj: Nuk kam dijeni, edhe do ja bëja një pyetje prokurorit ku vajti kjo Peugeot e famshme, e hëngri toka?
Spartak Koka: Kjo është pikëpyetja, sepse dhe në dosje thuhet që Peugeot nuk u arrit të gjendej më kurrë. Ku shkoi? Është një automjet shumë i rëndësishëm, i cili në dosje thuhet, të jetë shfaqur edhe në grabitjen e 2015 tek Stacioni i Trenit, edhe në grabitjen e fundit të 2017, ngjarje për të cilën ju akuzoheni.
Aleksandër Murataj: Jam shumë dakord, po Prokuroria pse nuk e gjen atë automjet? /klanplus