Nuk ka ende asnjë “shenjë” nga iPhone 17, por spekulimet për të po shtohen. Imazhet e qarkulluara japin një lloj ideje për dizajnin e telefonit të ri të gjigandit të teknologjisë Apple.

Në platformën “X” ‘Majin Bu’ postoi 4 modele të telefonave të rinj që pritet të dalin.

Kamerat e pasme të 2 telefonave do të jetë e ngjashme me atë të iPhone 14 Pro/Max dhe iPhone 15 Pro/Max. Kurse një model tjetër do të ketë dizajnin e kamerës të ngjashëm me atë të iPhone 16.

Por, ajo që ka tërhequr vëmendjen e shumë ndjekësve dhe fansave të çmendur pas teknologjisë është kamera drejtkëndore në krye të pajisjes.

Komentet kanë qenë të shumta sa i takon këtij dizajni, aspak “unik”, pasi është konsideruar thjesht një kopje e telefonit Pixel të Google.

Nga ana tjetër gjigandi i teknologjisë, Apple gjithmonë është shprehur se është duke planifikuar që të rinovojë ndjeshëm dizajnin e aparateve të saj celularë dhe kjo pritet të ndodhë me iPhone 17. Kompania mesa duket ka vendosur që të largohet nga kamerat e “mbledhura” në një kuadrat.

Mendohet gjithashtu që dizajni i kamerave të iPhone 17 të jetë i ngjashëm me atë të iPhone XS Max, me dallimin që nuk do të jetë e vendosur në mënyrë vertikale në anë të pajisjes, por në mënyrë horizontale në krye të saj./tvklan.al