Vendimi i befasishëm i pasardhëses së Angela Merkelit, për t’u larguar si drejtuese e partisë më të madhe të Gjermanisë, e ka çoroditur politikën e vendit dhe ka rindezur një garë potencialisht përçarëse për të gjetur pasuesen e kancelares gjermane, e cila planifikon të tërhiqet vitin e ardhshëm, thonë analistët.
Annegret Kramp-Karrenbauer, e cila u bë udhëheqëse e Kristian-Demokratëve (CDU) një vit më parë, njoftoi të hënën se po tërhiqet nga posti. Vendimi i saj erdhi pas kritikave në rritje për mënyrën e trajtimit prej saj të një grindjeje lidhur me bashkëpunimin e ligjvënësve të CDU-së në shtetin lindor Thuringia me anëtarët e partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) pas zgjedhjeve shtetërore me një rezultat të ngushtë.
“Kam kohë që po e mendoja këtë vendim”, tha zonja Kramp-Karrenbauer në një konferencë shtypi në Berlin. Mandati i saj i shkurtër si drejtuese e partisë u shoqërua nga një seri gafash dhe ndarjesh toksike në lidhje me drejtimin e ardhshëm të partisë, të cilat ulën autoritetin e saj. Ajo planifikon të mbetet ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë, por thotë se nuk do të kërkojë nominimin e CDU-së si kandidate e partisë për kancelare në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, që do të zhvillohen në vjeshtën e vitit 2021.
Largimi i pasardhëses së saj të zgjedhur nga vetë Merkeli për drejtimin e partisë, ka prishur planet e pensionit të Merkelit dhe ka shkaktuar spekulime se mund të krijohen rrethanat për zgjedhje të parakohshme në pranverën e vitit 2021. Merkel e vendosi me kujdes Kramp-Karrenbauer si drejtuese të CDU-së për të realizuar një tranzicion të rregullt , thonë analistët. Largimi i saj shtron tani pyetjen se kush do ta pasojë Merkelin dhe si mund të pajtohen fraksionet e ndryshme të CDU-së.
Partia ka debatuar nëse do të vazhdojë me strategjinë centriste të Merkelit apo të kthehet në rrënjët e saj konservatore më tradicionale.
Analistët thonë se kryesuesit janë Friedrich Merz, një konservator fiskal dhe kritik i Merkelit, Jens Spahn, ministri aktual i Shëndetësisë në Gjermani, dhe Armin Laschet, kryeministri i shtetit të North Rhine-Westphalia. Të gjithë ata humbën para Kramp-Karrenbauerit në garën për drejtimin e partisë në vitin 2018 falë miratimit të Merkel për gruan që ajo shpresonte se do ta pasonte atë si Kancelare të vendit.
Merz dëshiron ta çojë CDU-në në një drejtim më të djathtë. Dy rivalët e tij janë pranë vizionit të Merkelit dhe favorizojnë centrizmin. Ata besojnë se CDU-ja duhet të përgatitet për një partneritet të mundshëm koalicioni me partinë e të Gjelbërve në rritje pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021.
Emily Mansfield me Economist Intelligence Unit, thotë se të gjithë pretendentët për të pasur Merkelin përballen me sfidën e shuarjes të ndasive mes politikanëve të nivelit shtetëror dhe federal të CDU-së dhe problemit “si të balancojë konkurrencën e ashpër nga AfD-ja me faktin se partneri tjetër i koalicionit të CDU-së ka shumë të ngjarë të jetë me të Gjelbërit”.
Kriza e pasueses së Merkelit vjen në një kohë të vështirë për Gjermaninë. Frika e recesionit po rritet. Prodhimi industrial gjerman ka rënë në pesë nga shtatë muajt e fundit. Parashikimet janë që ekonomia e vendit të rritet vetëm 0.4 përqind këtë vit dhe 0.9 përqind në vitin 2021, por ekonomistët paralajmërojnë se Gjermania mund të rrëshqasë lehtësisht në territorin e rritjes negative.
“Jam pesimist për parashikimin ekonomik pasi Gjermania mund të përjetojë një stuhi të vërtetë”, i tha CNN-it Marcel Fratzscher, Presidenti i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike. Ndër rreziqet që ai nxjerr në pah janë një ngadalësim i tregtisë globale, ndikimi i koronavirusit, tensionet gjeopolitike, veçanërisht mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, dhe ngërçi i mundshëm ekonomik nga Brexit.
“CDU do të jetë e preokupuar përsëri me diskutimin e lidershipit dhe një diskutim më strategjik se si të përballet me AfD-në,” thotë Carsten Brzeski, ekonomist për firmën ING.
Brzeski thotë se “tranzicioni i rregullt i politikës gjermane në epokën e pas Merkelit duket se po dështon. Vendi do të vazhdojë të përballet me një peizazh politik më të fragmentuar, ku partitë duhet të rimendojnë vijat e kuqe të së kaluarës dhe partnerët e mundshëm të koalicionit”.
Ai thotë se koha është e papërshtatshme për Evropën në tërësi. “Për Eurozonën, mund të shohim një politikë gjermane me më shumë vëmendje nga brenda vendit se sa më parë dhe, rrjedhimisht, më pak përparim në ndonjë integrim më të madh në Eurozonë.” Bankat qendrore dhe politikëbërësit e BE-së kanë kërkuar nga qeveria gjermane të jetë më pak konservative në politikat fiskale dhe të rrisë shpenzimet e qeverisë, duke besuar se kjo do të ndihmojë në rritjen e rritjes ekonomike në Eurozonë.
Analistë të tjerë evropianë thonë se preokupimi i Berlinit me politikën e brendshme do ta detyrojë atë për të qënë e papërgatitur për një betejë të ardhshme tregtare me Uashingtonin. Të hënën, Presidenti amerikan Donald Trump tha se ai po jep mendimet e tij për ribalancimin e marrëdhënieve tregtare më shumë se 1 trilion dollarëshe me BE-në, duke ngritur perspektivën e një lufte tregtare transatlantike.
Ai u tha guvernatorëve amerikanë: “Evropa na trajton shumë keq. Gjatë 10, 12 viteve të fundit, ka pasur një deficit të jashtëzakonshëm me Evropën. Ata kanë barriera të jashtëzakonshme … Kështu që ne do të përgjigjemi. Ata e dinë këtë”. Zyrtarët evropianë thonë se do të hakmerren, nëse Presidenti Trump bën një kërcënim për të vendosur tarifa për makinat evropiane dhe produktet e tjera. Uashingtoni dhe evropianët janë në konflikt në lidhje me subvencionet e linjës ajrore, barrierat e tregtisë bujqësore dhe planet e BE-së për të filluar taksimin e kompanive digjitale amerikane./VOA