#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

Të ftuar: Mirela Katundi, mësuese Elsa Sheqi, mësuese Diana Shani –Prind, IJR Stela Kotri- Prind, mesuese

#gjenerataalfa #tvklan #edielashqiptare #arditgjebrea #shqiperi #tv #televizion #riniashqiptare # shkolla #kurse #mesim #mesues #ideal #prinder #autoritet

“Mësues që përjetojnë adoleshencë të dytë”, deklarata e Reivisit habit studion

Shpesh diskutohet se nxënësit janë të pamotivuar për të shkuar në shkollë, i ndjekin orët e mësimit me përtesë dhe pa përfshirjen e plotë. Njëkohësisht, të rinjtë e “Gjeneratës Alfa” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, e pranojnë se kjo ndodh për shkak të ngarkesës por edhe prej mësuesve.

Ata ndajnë raste kur ndiejnë që ka mësues që ta bëjnë shkollën më të lehtë dhe të motivojnë të shkosh çdo ditë, por ekziston edhe ana tjetër e medaljes kur “mësuesi të bën për psikolog”. I pyetur për të ndarë kufirin mes një mësuesi të mirë dhe jo të mirë, Reivisi bëri dallimet e tij dhe tha se ka raste kur “mësuesit përjetojnë adoleshencën e dytë”.

Reivis: Gjëja fillestare që na vjen ndërmend është një mësues që ka pasion për lëndën e tij, e shpjegon me dashuri, është i gatshëm për ta ndihmuar nxënësin në ato raste që nuk e kupton lëndën, por është edhe një mësues që të jep komoditetin për ta shprehur veten nëklasë, pra të jesh i sinqertë, kur ti ke një problematikë ta thuash haptazi, nëse ti bën një koment pa dashur sepse në fund të ditës e kemi këtë moshën, mësuesi ta mirëkuptojë dhe mos ta marrë që kush je ti që më flet mua kështu dhe një mësues jo ideal mendoj që do të ishte ndoshta një mësues që nuk jep fare lëndë, nuk ka dëshirën për të shpjeguar…

Ardit Gjebrea: Nuk jep fare nuk ekziston se aty është për të dhënë lëndën.

Reivis: Jo, nuk ekziston, e them pa ekzagjerim se edhe nga eksperienca ime 12 vite nxënës vetëm një herë më ka ndodhur, ka mësues që për 9 muaj, vit akademik nuk e kanë prekur një herë shkumësin dhe dërrasën e zezë dhe kur vinte puna kërkonin llogari, si një mësues që ka bërë komplet të kundërtën e kësaj dhe mua më duket pak e çuditshme kjo dhe ta prish komplet terezinë dhe dëshirën për të shkuar në shkollë. Gjithashtu, diçka që nuk më pëlqen te mësuesit është që ndoshta, ju kërkoj ndjesë nëse ofendoj dikë me këtë që do të them tani, por duke punuar me adoleshentë, disa mësues më duket sikur përjetojnë adoleshencë të dytë dhe i marrin disa gjëra shumë afër zemrës dhe kjo për mua është diçka shumë e shëmtuar.

Ardit Gjebrea: Në ç’kuptim, s’e kuptova?

Reivis: Përjetojnë adoleshencë të dytë në kuptimin e mirëfilltë, ndonjëherë ndihesh sikur nuk po flet me një mësues që është te të 40-at, që ka moshën e prindit tënd apo ndoshta edhe më tepër, por ndihesh sikur po flet me një bashkëmoshatar që do të kapet pas çdo fjale që ti thua dhe që do të të injorojë apo fyejë në momentin e parë.

Mësueset e detyruan të ndiqte kurset, dëshmia në studio: Ndiqja Matematikën, më regjistroi edhe në Fizikë!

Përgjatë rubrikës “Gjenerata Alfa” u cek edhe tema se disa mësues nuk vlerësojnë nxënësit në rast se prindërit e tyre nuk u ofrojnë para. Një vajzë që është  ndier e detyruar të pranojë skemën e kurseve për shkak të notës ndan historinë e saj në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Ajo është e pranishme në studio, por ka kërkuar të ruajë anonimatin dhe është vendosur pas një muri ku duket vetëm hija e saj.

Dëshmitarja: Gjithçka nisi në vitin e tretë të gjimnazit ku gjithë zyshat narrin shkas nga provimet e maturës dhe fillojnë të ushtrojnë një lloj trysnie shumë të madhe te nxënësit, te lënda dhe notat. Në vit të tretë, duke qenë se ne duhet të zgjedhim një kurrikulë shkencore ose shoqërore, shumica e mësuesve rrjedhimisht ndërrohen, vijnë mësues të rinj. Mua më qëlloi që zyshat e ekipit shkencor që bëjnë Matematikë, Fizikë ishin edhe shoqe të ngushta. Gjithçka nisi me zyshën e Fizikës. Në tremujorin e parë, unë si nxënëse e 10-ës dhe shumë shoqe të miat, filluam duke marrë nota shumë absurde si të themi 6,7 pa asnjë lloj shpjegimi.

Vajza shton se nuk kryhej asnjë test apo vlerësim, thjesht në sistem shihnin që shfaqeshin nota të  cilat nuk u ishin komunikuar asnjëherë. Kështu, vendosën t’i drejtoheshin për ndihmë mësueses kujdestare.

Dëshmitarja: Shkuam te zysha  kujdestare dhe i treguam problemin tonë që kemi marrë disa nota, nuk na pëlqejnë,  nuk na duken të arsyeshme dhe zysha kujdestare që fillon hedh disa fjalë duke thënë që “pse nuk bëheni 2-3 persona, shkoni në kurs, aty do e kuptoni edhe më mirë mësimin”.

Ardit Gjebrea: Dhe?

Dëshmitarja: I thamë në fillim që thjesht do ta shikojmë, do ta bisedojmë dhe po prisnim njëherë se nuk është se kishim edhe shumë mundësi, domethënë ndoshta dikush tjetër edhe mund të kishte mundësi t’i ndiqte kurset, dikush si puna ime nuk është se kishim mundësi ekonomike që të vazhdoja një kurs.

Ardit Gjebrea: Sa kushtonin këto kurse?

Dëshmitarja: Disa lëndë e kanë 10 mijë lekë orën, disa e kanë 15, por nëse ti do ta bësh individuale,  paguaje 20 mijë lekë të vjetra për orë.

Mësuesja kujdestare nisi të ndiqte metodën e koleges së saj duke u dhënë ushtrime të vështira olimpiade e më pas duke i nxitur që të ndiqnin kursin. Presioni e detyroi vajzën që pavarësisht mundësive ekonomike, ta ndiqte kursin.

Dëshmitarja: Gjatë kohës kur unë shkoja te kursi i zyshës së Matematikës, më thotë një ditë pas mësimit të kursit që “shihe, pse nuk shkon te kursi i zyshës së Fizikës, është më mirë të bësh mëism nga zysha jote, do e marrësh edhe notën më lehtë”, ta thotë shumë troç. Unë për momentin thjesht i them do ta diskutoj me prindërit dhe do të flas.

Ardit Gjebrea: Fole me prindërit?

Dëshmitarja: Normale që unë e dija edhe vetë gjendjen e prindërve që nuk kishim mundësi për një kurs të dytë, mezi përballonim të parin jo më të dytin. Të nesërmen zysha e Matematikës më merr në telefon, “shih se në orën 3 pas mësimit të kam lënë orar te zysha e Fizikës për kursin e Fizikës”.

Ardit Gjebrea: E bëri fakt të kryer?

Dëshmitarja: E bëri fakt të kryer vetë pa qenë nevoja ta vazhdoja unë fjalinë. Nuk kishim çfarë të bënim sepse po mos të shkoja, normale që do të më merrnin me sy të keq, do të bëhesha objekt diskutimi dhe nota do të vazhdonte të më ulej.

Ardit Gjebrea: Por pse nuk shkuat te drejtoresha ti dhe shoqja jote, ose vetëm ti ose mami yt?

Dëshmitarja: Po nuk mund të shkonim dot sepse këto lloj zyshash që kanë këto kurse kanë edhe një lloj lidhjeje të brendshme me drejtoreshën sepse edhe në momentin që zyshat neve na merrnin nga orët e mësimit nëse unë kisha Biologji, Gjeografi Letërsi, më merrnin nga ora e Letërsisë hajde se do të bëjmë kurs Fizike, brenda ambienteve të shkollës, domethënë që në njëfarë mënyre besoj që edhe drejtoresha e dinte, plus edhe kur e shihte që ishim në kafe bashkë, po të shkonim ne nuk kishte asnjë lloj mundësie.

Pas përfundimit të shkollës, vajza ndërpreu edhe kurset. Ajo thotë se në provimet e Maturës Shtetërore doli shumë mirë falë përpjekjeve të saj, e jo kurseve. E pyetur pse vendosi të mos  zbulonte identitetin e saj edhe pse kjo histori ka mbaruar, ajo shprehet se në atë shkollë gjenden ende motra dhe kushërirat e saj.

/tvklan.al