Më 18 Dhjetor 2024, Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi që 177 mijë pensionistë në kryeqytet të përfitojnë falas abone për transportin publik. Me kartën e identitetit dhe me një fotografi në dorë dhjetëra pensionistë u paraqitën pranë 5 pikave në Tiranë, për t’u pajisur me abonenë që duhet ta tërhiqnin vetë.

Pajisja e të moshuarve përfitues bëhet e shoqëruar me foto dhe plotësohet me emrin dhe mbiemrin e mbajtësit. Në këtë moment në pikat e miratuara nga bashkia, u krijuan radhë të gjata dhe pensionistët prisnin me orë në të ftohtë për të marrë abonenë.

Drita Bafti, një zonjë 78-vjeçare tregon peripecitë që ndeshi për të përfituar lëvizjen falas me transport publik. Ajo thotë se vuan nga tensioni e sëmundje të tjera, ndaj e ka të pamundur të shkojë çdo muaj, të ndryshojë foton e abonesë.

“Unë kam qëndruar 3 ditë në radhë për të përfituar abonenë e pensionistit. Pas 3 ditësh kam ikur sepse kishte kallaballëk shumë. Vuaj nga tensioni, vuaj nga kollona, shumë sëmundje kam dhe nuk munda që të qëndroja. Kur shkova ditën e katërt dhe më thoshin njerëzit që nuk i njihja fare, ‘futu nëna, futu pa radhë’, nuk mund të futem pa radhë u thashë sepse dua që të jem korrekte me njerëzit sepse edhe ata janë si puna ime. Nuk shkoj dot, e mira është që të bëhet karta për të gjithë vitin. Nuk mund të rri në radhë vetëm për të ndryshuar foton”, tha pensionistja.

Në pikat e shpërndarjes së aboneve thuhet se kështu është caktuar procedura.

Pika një e shpërndarjes së aboneve:

Qytetari: Si kalove? Moj, të të pyes për këtë abonenë, se kam plakën. Duhet të vijë gjithmonë ajo, të ndryshojë foton edhe…?

Shitësja: Tani duhen edhe vetë edhe çdo muaj i marrin. Çdo fund muaji dalin ato, 2-3 ditë para fundit, pa mbaru muaji dhe pastaj duhet të vijnë, t’i marrin me kartë. Gjithsecili thonë vetë, puna është se s’ka radhë. Këtu bëhet dy ditë radha, se vijnë të gjithë një orar.

Qytetari: Pse duhet të vij gjithmonë tani, për të ndryshuar një foto edhe..?

Shitësja: Aboneja!

Qytetari: Edhe ngjyrën!

Shitësja: Aboneja.., eh pra, i heqin ato a njishi, ja njishi ven dyshin, si abonetë e përgjithshme, të gjitha. Ku i di unë, kshu i kanë bërë tashi me u anku, ju mund të ankoheni kudo, se unë s’kam gjë në dorë, unë jam puntore.

Qytetari: Se janë të moshuar.

Shitësja: E mira ashtu do ishte, të paktën një herë në gjashtë muaj, o t’ua u jepnin te pensioni.

Pika dy e shpërndarjes së aboneve:

Qytetari: Një pyetje kam unë. Duhet të vij çdo muaj mamaja për..?

Shitësja: Duhet të jetë vetë personi!

Qytetari: Po pse e keni bërë çdo muaj tani?

Shitësja: E ka bo ai tjetri, jo unë!

Pensionisti: Ku di gjë kjo. Ku di gjë kjo, more!

Edhe të moshuar të tjerë shprehen, se është e padrejtë, që të përballen çdo muaj me këtë situatë, kur mund ta bëjnë procedurën një apo dy herë në vit./tvklan.al