Parashikimi i Alketës se në anën tjetër të murit në “Ka Një Mesazh Për Ty” e priste Valmira, nuk gaboi. Miqësia e tyre karakterizohet nga një lidhje e fortë që është provuar në momente të bukura e të vështira që gjithnjë i kanë ndarë bashkë. Tani të dyja gjenden në një tjetër sprovë sepse daljet e tyre të përditshme nuk do të vazhdojnë pas largimit të Valmirës dhe familjes së saj në Itali.

Të gjitha këto motive e shtynë Valmirën ta surprizonte në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për t’i thënë një falënderim nga zemra dhe një premtim që mund ta bëjë një shoqe e vërtetë.

Valmira: Mikja ime! Motra ime! Shoqe po të them në fund. Sot kam ardhur për të thënë që edhe pse unë  do të largohem, ti do të jesh gjithmonë kjo që je sot. Unë thjesht do të iki me trup, por me mendje dhe zemër kurrë.

Alketa: E di.

Valmira: Ti ke qenë gjithmonë në krahun tim, në të mirë e në të keq. Në situata të vështira që unë kam kaluar para 9 muajsh, ti më je gjendur pranë, nga humbja e babait. Nuk kam fjalë të ta përshkruaj çdo gjë që ti ke bërë për mua, por sot kam dalë jashtë natyrës sime që unë jam për të të dhënë këtë mesazh.

Alketa: E di që është tip që më bën të tilla surpriza dhe kam marrë gjëra të bukura nga kjo vajzë gjithmonë, por deri këtu…

Ardit Gjebrea: Nuk e prisje.

Alketa: E prisja, ishte një ndër tre personat që dyshoja, por prapë duke menduar që është e ngarkuar, jo të më sillte deri këtu.

Alketa përshkruan si e sheh ajo Valmirën, por edhe përjetimin për largimin e saj.

Alketa: Kam shumë kujtime të bukura me këtë vajzë. Gjëra të bukura pafund, kemi gjetur mbështetjen te  njëra-tjetra, edhe në momente që kemi qenë vërtet vështirë i jemi gjendur njëra-tjetrës, ashtu si në ditët tona edhe të mira, edhe të këqija, i kemi kaluar po bashkë. Pastaj kemi edhe nga këto çmendurirat tona pafund që do të mbeten gjithmonë në kujtesë. Nuk kam fjalë. Edhe unë e kam shumë të afërt.

Ardit Gjebrea: Është shumë bukur të shohësh dy mikesha që bëjnë kaq shumë për njëra-tjetrën, që preken dhe vjen një moment që duhet të ndahen. Si e ke përjetuar këtë moment?

Alketa: Në fillim kur më tha, unë të uroj i thashë kudo që të shkosh, por në vetvete thashë që unë nuk dua që ty mos të të ecë, por edhe në shtëpi më thoshin fëmijët “mami, ku do të gjesh shoqe tjetër?” Nuk ka. Bashkëshorti, “çfarë do të bësh po të iku?” Nuk ka tjetër. Nuk e zëvendësoj dot me asnjë./tvklan.al