Sekuestrohen 200 kg kokainë, në pranga 15 persona
Këto janë ambientet ku ishte përshtatur laboratori i drogës në Frakull të Fierit, në të cilin u sekuestruan rreth 200 kilogramë kokainë.
Siç duket në foton e siguruar nga Televizioni Klan, në ambientet e jashtme të kësaj ndërtese që është në pronësi të ish-kryetarit të Komunës së Frakullës, Viktor Çervanaku, janë thasët me pleh kimik, të cilët u morën nga Policia me kamion për t’i kontrolluar.
Hetimi, i cili u drejtua nga SPAK, zgjati për disa muaj dhe u finalizua këtë të enjte nga Policia e Shtetit, ndërkohë të përfshirë në operacion kanë qenë edhe autoritetet amerikane dhe ato malazeze.
Sipas burimeve të policisë lënda narkotike ishte nisur nga Kolumbia dhe ka mbërritur në Korrik në portin e Tivarit dhe prej asaj kohe është mbajtur nën vëzhgim. Gjatë ditëve të fundit kokaina është tërhequr nga shtetas shqiptar dhe është transportuar për në Fier mes plehrave kimikë.
“Kishte nja 50 policë”, tha Fiqeret Muçaj, kryeplaku i fshatit Frakull.
Edhe në këtë laborator Policia gjeti sasi të plehrave kimik, që përdoreshin për fshehje të aktivitetit kriminal, të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, ndërsa arrestoi 15 persona.
Burime të Tv Klan thanë se të përfshirë janë edhe dy shtetas kolumbian, roli i të cilëve pritet të zbardhet nga autoritetet. Gjatë operacionit të zhvilluar në Tiranë dhe Fier u sekuestruan edhe armë zjarri tip kallashnikovë dhe pistoletë, që shihni në foto.
Tv Klan