Ky është momenti kur i shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Laert Haxhiu mbërrin në doganën e Kakavijës. Pas miratimit të ekstradimit nga autoritetet greke, 32-vjeçari u shoqërua deri në pikën e kalimit kufitar nën masa të rrepta sigurie. Siç duket nga pamjet forcat speciale greke, e dorëzuan atë tek forcat RENEA. Teksa ndodhet në furgonin e policisë Haxhiu kërkon që të mos filmohet.
Ekstradimi i Haxhiut vjen 14 muaj pas arrestimit të tij në Janinë nga policia greke. Me shtetin fqinj Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimit por ka qenë këmbëngulja e autoriteteve tona që ka bindur palën greke për të dhënë dritën jeshile.
Vetë 32-vjeçari nëpërmjet avokatit të tij ka kundërshtuar disa herë ekstradimin drejt Shqipërisë. Ai është dënuar me burg përjetë për disa vepra penale të kryer në kuadër të grupit kriminal, apo vrasje në rrethana cilësuese. Bëhet fjalë për masakrën e Lushnjës ku mbetën të vrarë Zamir Latifi, dhe Jurgen Hoxha. Ata u qëlluan me automatik me automatik në një lokal në qendër të Lushnjës, ndërsa pronari i lokalit dhe një kalimtar mbetën të plagosur aksidentalisht. Me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës janë dënuar më herët bashkëpunëtorët e Haxhiut, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.
Laert Haxhiu është dënuar në mungesë me 18 vite burg nga Gjykata e Lushnjës për një tjetër atentat ku u plagosen disa persona dhe sërish objektivi i sulmit ishte Xhulio Shkurti. Po kështu, emri i Laert Haxhiut doli nga dëshmia e Artan Tafanit, i cili tregoi se grupi i tij ka organizuar disa vrasje dhe ngjarje të rënda kriminale që kanë ndodhur Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë. Sipas dëshmisë së Artan Tafanit, Haxhiu kishte planifikuar të ekzekutonte edhe persona të drejtësisë, përfshirë prokuroren e SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe atë të Lushnjës, Merita Selimi, për të cilat u mor vendim për mbrojtje të posaçme.
Për ekstradimin e tij, reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale Balla, teksa falënderoi autoritetet homologe greke, tha se po vijon puna çdo ditë me partnerët për gjetjen e personave të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale.
Klan News