Me urdhër të Gjykatës së Posaçme, forcat RENEA kanë arrestuar në Shkodër, Safet Bajrin, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai u dërgua fillimisht në komisariatin e këtij qyteti, ku pas procedurave, u nis nën shoqërimin e forcave speciale, drejt Tiranës.
Ky është momenti kur Bajri futet në drejtorinë e policisë së kryeqytetit. Siç shihet në pamje, ai duket i pashqetësuar, madje shpesh herë edhe buzëqesh.
Po nën masa të rrepta policie, Bajri u dërgua në paraburgimin 313 në rrugën Mine Peza në kryeqytet. Përveç prangave, në duar mbante edhe procesverbalin e urdhërit të arrestit.
Avokati ka deklaruar se bëhet fjalë për një çështje të vitit 2018, për të cilën deklaroi se është hetuar njëherë. Por Klan News ka mësuar se prangosja e Bajrit dyshohet se ka lidhje me vrasjen e Fatbardh Licit.
“Është për një çështje që është gjykuar një herë. Nuk është thirrur në telefon, është paraqitur vetë në drejtorinë e qarkut të Shkodrës. Në atë moment është bërë me dije një kampion ADN-je, ADN-në do e merrte në Tiranë. Nuk është arrestuar por ka vajtur vetë”, tha Sokol Tahiraj, avokati i Safet Bajrit.
Gjyakata e Posaçme ka firmosur urdhër arrest edhe për kushëririn e tij, Behar Bajri dhe mikun e tyre, Asmer Bilali. Ata ndodhen në burg në kuadër të hetimeve të dosjes “Metamorfoza”
Klan News