Në natën e parë gjysmëfinale të “Këngës Magjike” në Tv Klan, Ardit Gjebrea u shoqërua nga ish Miss Universe 2008 dhe moderatorja, Matilda Mcini.
Për daljen e tij në Pallatin e Koncerteve, Ardit Gjebrea preferoi një kostum prej një kavalieri të vërtetë (siç tashmë e njohim) të zi, me këmishë të bardhë dhe papijon po ashtu të zi.
Ndërsa Matilda e cila gëzon linja të holla dhe trup të gjatë, duket se mund të shkëlqejë në gjithçka, por për debutimin e saj në “Këngën Magjike” u shfaq në një fustan të kuq të ndezur, me dekolte të theksuar dhe të çarë që ekspozonte këmbët. Duke ia lënë vëmendjen fustanit, ajo shtoi vetëm vathë të kuq të zbukuruar me gurë si aksesorë.
Monologu i jetës së saj ishte edhe momenti kur Matilda shkëlqeu me një kostum të bardhë. Ngjyra e pastërtisë, e modeluar në një xhaketë me prerje asimetrike dhe pantallona të drejta, nxorrën në pah siluetën elegante. Xhaketa kishte gjithashtu si detaje dekoltenë dhe mëngët e zbukuruara me dantellën delikate. Edhe me këtë veshje, aksesorët kryesorë mbetën vathët, kësaj here me gurë të zinj.
Ndoshta mund të duken veshje të krijuara për yjet e Hollivudit, por gjithçka ndodhi nën shkëlqimin e dritave të skenës së festivalit “Kënga Magjike!”/tvklan.al