Besoj të gjithë keni dëgjuar për “Ditën e të Vdekurve”. Në Meksikë, “buka e të vdekurve” është një lloj buke e ëmbël që përgatitet veçanërisht për këtë festë, në fillim të Nëntorit.

“Pan de Muerto”

E rrumbullakët dhe me një kryq në mes, kjo bukë simbolizon ‘kockat dhe lotët’ dhe është njëkohësisht si ftesë për të ndjerin që t’i vijë shpirti në shtëpi. Edhe pse ngjan e frikshme dhe e çuditshme, për meksikanët është mëse normale. Ushqimin, ata e lidhin shumë me rituale të tilla. Përgatisin gosti për shpirtrat dhe e përdorin sheqerin në ditë zie.

Në vende si SHBA apo Australia, njerëzit përgatisin tavë ose lazanja për të kujtuar të vdekurit. Vende të tjera nuk e përdorin mishin apo djathin në raste të tilla. Këto gatime që lidhen në mënyrë direkte me rituale spirituale janë në vetvete shenja të vajtimit dhe nderimit pas humbjes së personave të dashur.

Po komuniteti ortodoks çfarë tradite ka?

“Kolyva” është një pjatë që në bazë ka grurin dhe gatuhet nga ortodoksët, sidomos në Greqi e Rusi.

Në Rusi e quajnë “kutia”, megjithëse shija është e njëjtë. Është si qull i holluar me ujë, i përzier me elb apo oriz. Më pas i shtojnë mjalt ose arra për shije më të ëmbël. Njerëzit e këtij besimi nuk e përdorin mishin në raste funeralesh. Është pjata e parë që konsumohet pas varrimit.

Për rusët, kjo pjatë simbolizon jetën e përtejme.

Në Greqi apo Maqedoni, sheqeri shtohet si ëmbëlsues, por përdoren më së shumti frutat e thata, si farat e shegës apo arrat. Këto të fundit i përdorin dhe si dekorues pjate, duke bërë një kryq sipër ushqimit apo inicialet e të ndjerit. Maqedonasit e quajnë këtë lloj ëmbëlsire “koliva”. Ortodoksët, nëse nuk kanë hapësirë në shtëpi për të pritur njerëzit, mund të shkojnë në kafe ose restorant.

Sri Lanka

Në kulturën budiste të Sri Lankës, çdo i afërm i bashkohet familjes së të ndjerit për të gatuar vakte të bollshme. Atje, caktohet një njeri i cili del nëpër lagje ose në fshatin ku jeton dhe mbledh para në secilën shtëpi. Dhurohet një shumë e caktuar financiare në mbështetje të familjes së të ndjerit. Këta të fundit i përdorin zakonisht paratë për të mbyllur ritet. Ata e djegin trupin e vdekur, në vend që ta varrosin. Më pas gatuhet “Mala Batha”. Këtë të fundit e konsumojnë nëse i ndjeri ka lënguar para vdekjes. Pjata është terësisht vegjetariane, ka në përmbajtje patëllxhan e gjethe jeshile.

Një vakt normal pas funeraleve në Sri Lanka

Edhe fqinjët angazhohen për ta ndihmuar familjen në ditët pasuese, duke gatuar për ta oriz, sjellin pako të mëdha me biskota, bëjnë çaj ose kafe. Ushqimi nuk lejohet të futet në frigorifer, duhet të konsumohet i gjithi në po atë ditë.

Kina

Kina ka si traditë që i ndjeri të ruhet 3 ditë e më pas të varroset. Pjata e tyre ndryshe nga shumë vende të tjera përfshin mishin e derrit i cili sipas tyre simbolizon përjetësinë dhe fatin e mirë. Po ashtu gatuhet pula ose një rosë, të cilat simbolizojnë mbrojtjen e shpirtit teksa kalon 3 lumenjtë. Këto të fundit janë pjesë e besimit kinezo-budist.

Gjithçka shërbehet me oriz, që përfaqëson familjen dhe respektin. Por ekziston dhe një pjatë vegjetariane e quajtur “Buddha’s Delight”, shoqëruar me çaj.

“Buddha’s Delight”

Në funeralet kineze shpërndahen edhe simitet në ngjyrë të verdhë apo rozë.

Këto janë për të qetësuar shpirtrat që enden nëpër tokë. Në përmbajtje kanë miell, maja e sheqer. Ditën e 7-të pas varrimit shërbehet vakti i fundit. Është momenti që shpirti të lërë këtë botë, sipas tyre. Nëse mbetet ushqim, e hedhin pasi konsiderohet “fat i keq” pas kësaj dite.

Vendet e besimit islam

Pothuajse 1/4 e popullsisë së botës është myslimane, e shpërndarë në rajone të gjera. Në Islam, se nuk ka vdekje përfundimtare. Vetë jeta është një fazë e përkohshme, një provë për shpirtin dhe një mjet për shpëtim. Pra, traditat e varrimit dhe zisë islame bazohen në idenë se vdekja është e frikshme vetëm për ata që nuk kanë bërë vepra të mira dhe s’kanë besuar. Ata e varrosin të ndjerin zakonisht 24 orë pasi ka ndërruar jetë. Vajtuesit në një funeral islamik mund të shprehin pikëllimin, por vetëm brenda disa standardeve. Nuk lejohen shenjat ekstreme të emocioneve ekstreme, të tilla si grisja e rrobave, dhuna apo lëndimi i vetes.  Pas lutjes dhe varrimit, njerëzit mund të mblidhen në shtëpinë e familjes. Tradicionalisht, shërbehet një vakt. Socializimi besohet se ndihmon familjen të përballojë humbjen e tyre. 

Ka një periudhë zie 40-ditore, gjatë së cilës vlerësohen jo vetëm lulet, por edhe ushqimi. Në përgjithësi, qengji dhe orizi janë përbërës të zakonshëm që gjenden në shumë receta myslimane apo hallva e ëmbël. Të gjitha ushqimet e konsumuara nga myslimanët, duke përfshirë ato që shërbehen në funerale, duhet t’u përmbahen udhëzimeve specifike të dietës fetare të përshkruara në Kuran./tvklan.al