Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka kaluar natën e parë në paraburgimin e bllokut të sigurisë në rrugën “Mine Peza”. Ai u arrestua dje në ambientet e bashkisë për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Gazetarja Glidona Daci bëri me dije këtë të martë se Veliaj gjatë mbrëmjes së djeshme, pasi janë larguar kamerat e mediave nga blloku i sigurisë, është takuar me avokatin e tij, Henrik Ligori. Po ashtu, ai është vizituar edhe mëngjesin e sotëm nga avokati për t’u konsultuar sa i takon përgatitjes për dosjen hetimore nga SPAK.
Siç raporton gazetarja, Veliaj ka qëndruar me një qeli më vete dhe nuk ka shfaqur problematika. Nesër ai do të dalë në gjyq për t’u njohur me masën e sigurimit. Bashkë me të edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe disa biznesmenë që akuzohen për korrupsion.
Gazetarja Daci ka siguruar dosjen hetimore të SPAK, e përbërë nga 370 faqe. Bëhet fjalë për hetimet e SPAK, që provojnë faktin se Elman Abule për të përfituar leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës, i ka ofruar para të ndryshme kompanive që “de facto” dhe “de juro” kontrolloheshin nga Ajola Xoxa.
Flitet për fatura për shërbime konsulente ligjore që jepej nga Ajola Xoxa dhe këto, i kërkonte Abule për kompaninë e tij “Rametal” sh.p.k.
Sipas Prokurorisë së Posaçme këto përbëjnë faktin se Elman Abule është një nga personat që për të përfituar leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës dhe favore të tjera i ka ofruar para të ndryshme kompanive që “de facto” dhe “de juro” kontrolloheshin nga Ajola Xoxa.
Sipas SPAK, ishin disa kompani që ofronin shërbime konsulence dhe kanë pasur transaksione faturash edhe për konkurrentët që për prokurorinë përbëjnë dyshimin e arsyeshëm që kemi të bëjmë me pastrim parash.
Në njoftimin për shtyp, SPAK tha se është gjetur një shumë e madhe monetare që janë verifikuar në “Duty Free”-t në vende të tjera ku Ajola Xoxa ka kryer blerje online. Sipas SPAK, në 4 vite ajo ka blerë mbi 860 mijë euro bizhuteri, rroba dhe materiale të tjera.
PJESË NGA DOSJA E SPAK
Adela Kondakçiu pyet ekonomisten e “Rametal” sh.p.k nëse pagesat janë mbyllur, por ajo i kërkon ndjesë dhe i thotë që do t’i procesojë javës tjetër. Në fakt, javën pasardhëse, me datë 24.10.2023, në faqen 36 të komunikimeve Adela njoftohet nga ekonomistja se është procesuar fatura e mbetur e “Rametal”. Në lidhje me këtë, ekonomistja i dërgon kalimin bankar, i cili mban datën 23.10.2023, sipas të cilit “Rametal” sh.p.k i kalon “Partners Laë” sh.p.k edhe 12.000 Euro të tjera, për likujdim faturash 25/22023 datë 21.09.2023.
Në këtë pikë konstatohet se detyrimi i “Rametal” sh.p.k ndaj “Partners Laë” është i mbyllur, duke bërë që detyrimi i mbetur të jetë tashmë 75.000 Euro. Megjithatë, në faqen 37, Adela e pyet nëse janë bërë pagesat e “Sapientia” sh.p.k, por ekonomistja i thotë që për ato nuk ka akoma një datë, por do ta njoftojë. Adela insiston për pagesat që duhet të bëhen nga “Sapienta” sh.p.k, në faqen 38 të komunikimeve. Ekonomistja e “Rametal” sh.p.k i përgjigjet në faqen 39 se do t’i procesonte po atë ditë (30.10.2023).
Ekonomistja i kërkon njëkohësisht edhe një kopje të faturës së vjetër prej 3.000 Eurosh, e mbetur papaguar nga viti 2021, fatura e së cilës i referohet mban numrin 62 datë 26.03.2021. Fatura që i dërgohet nga Adela Kondakçiu ka të bëjë me detyrimin që “Sapientia” sh.p.k ka ndaj “Partners Law” sh.p.k për shumën e përgjithshme prej 18.000 Euro, nga e cila është likujduar 15.000 Euro dhe mbeten 3.000 Euro, që ekonomistja kërkon ta likujdojë në këtë moment.
Fatura në fjalë, e cila ndodhet në faqen 40 dëshmon sa u tha më sipër: Pra, një shoqëri si “Sapientia” sh.p.k, e krijuar ndër të tjera edhe për ofrim konsulencë ligjore, paguan një shumë të konsiderueshme të hollash tek një shoqëri “konkurrente” si “Parners Law” sh.p.k, për të njëjtin shërbim që e disponon vetë.
Më datë 30.10.2023, siç edhe dokumentohet nga komunikimet në faqen 42, “Sapientia” sh.p.k shlyen dhe detyrimin e mbetur ndaj “Ava Studio” sh.p.k, për likujdim fature nr. 258/2023, në masën 12.000 Euro. Kjo e fundit është themeluar nga nëna e Ajola Xoxës, Valbona Xoxa, por në fakt kontrollohet plotësisht nga e para. Pas kësaj, në faqen 43, ekonomistja i dërgon edhe dokumentin bankar që provon likujdim prej 3.000 Euro të mbetur papaguar për shoqërinë “Partners Law” sh.p.k.
Tashmë, detyrimi i “Rametal” sh.p.k dhe “Sapientia” sh.p.k ndaj shoqërive të kontrolluara faktikisht nga Ajola Xoxa është likujduar i plotë, pa përfshirë këtu shoqërinë “Jedas” sh.p.k, për të cilën detyrimi në Cash është 60.000 Euro dhe për të cilin shtetësja Ajola Xoxa ka thënë se janë në rregull dhe nuk ka problem.
Në lidhje me këtë të fundit, ekonomistja e “Rametal” sh.p.k, duke përforcuar edhe më tej dyshimet për një kontroll të mundshëm të shoqërisë “Jedas” nga shtetësja Ajola Xoxa, shprehet sa vijon në faqen 43: Pastaj na mbetet edhe 60-çja që është kthim cash. Por mesa di unë do e diskutojnë edhe njëherë si do ta mbyllin (do bëhen fatura apo jo).
Adela Kondakçiu i përgjigjet në faqen 44: Ok, në rregull. Kur të vendosin i bëjmë./tvklan.al