Nga qelia e bllokut të sigurisë ku po qëndron, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme për të dhe ndaj bashkëshortes së tij.
Në një koment të gjatë të postuar në rrjetin social Facebook, kryebashkiaku i Tiranës mohon në mënyrë kategorike që të ketë lidhje me korrupsionin për të cilin flet SPAK në njoftimin e vet.
“U them të gjithëve atë që i kam thënë kryetarit dhe kujt tjetër më ka pyetur: Nuk kemi asnjë lidhje unë dhe familja ime me fjalën korrupsion. Kjo historia jonë është aq tragjikomike sa njerëzit s’do ta besojnë kur t’i dëgjojnë të zbërthyera një e nga një, idiotësitë e asaj akuze. Nuk do të jetë e lehtë, se në këto kushte nuk shpjegohesh dot si do dhe sa do, por kam një besim të madh se e vërteta është më e fortë se sa çdo mur dhe se sa çdo idiot që i bëhet asaj barrikadë duke abuzuar me pushtetin e drejtësisë”.
Thotë se ndihet i çliruar nga detyrimi për të heshtur ndaj hetimeve dhe akuzave, por edhe ndaj prokurorit të çështjes, për të cilin nuk i kursen më etiketimet.
“Nuk më befason ky fund absurd i këtij kapitulli të gjatë zvarritjeje sa në gojët e qenërisë mediatike dhe sa në duart e një prokurori lunatik, që është një fyerje e gjallë e inteligjencës njerëzore. Por, ky ishte vetëm kapitulli i parë. Tani unë nuk kam më detyrimin të hesht për çfarë më kanë parë sytë në sjelljen me familjen time dhe më kanë dëgjuar veshët nën çatinë e SPAK-ut. Kam respektuar, si gjithë të tjerët, vijën tonë politike, jo komente për një proces të hapur nga drejtësia”.
Nuk pendohet që gjatë kësaj kohe ka zgjedhur të heshtë, ndërsa prokurorin e çështjes e akuzon se ka ushtruar shantazh ndaj dëshmitarëve.
“Besomëni, nuk është e lehtë të heshtësh kur të djeg lëkura sikur të fikin bishta cigaresh në trup nga idiotësitë që të thotë një prokuror, si ai që nuk la dëshmitar pa shantazhuar. E kam bërë me besimin që kështu duhet dhe nuk pendohem që kam shtrënguar dhëmbët. Nuk besoj se mediat do të kenë kurajon të zbërthejnë një më një akuzat idiote dhe më vjen tmerrësisht keq që disa sipërmarrës kanë hyrë në dorën e atij të padituri epsharak, për shkak se kanë sponsorizuar aktivitete kulturore për Tiranën”.
Shpreh keqardhje për familjarët, por edhe për bashkëpunëtorët e tij në bashki, të cilët i siguron se është i pafajshëm për akuzat e ngritura.
“Më vjen keq për Ajolën, që as djalin nuk e lanë të çojë e marrë nga shkolla, por edhe kjo nuk më befason. Më vjen keq për nënën time, që zemër plasur në çdo betejë timen këto 20 vite, s’ju ndanë peripecitë prej një jete sakrificash. Më vjen keq për të gjithë bashkëpunëtorët, kolegët, punonjësit e Bashkisë së Tiranës dhe dua ta dinë që nuk kam unë asnjë lidhje me idiotësitë e shkruara në paçavuren fatkeqësisht të sigluar edhe nga Altin Dumani”.
Keqardhje ka edhe për familjen e tij politike dhe kryetarin e partisë për faktin se në fushatën e ardhshme zgjedhore nuk do ta ketë në krah.
“Më vjen keq për motrat dhe vëllezërit e Partisë Socialiste dhe për kryetarin, që pas kaq vitesh beteja të përbashkëta elektorale, nëse nuk do të më ketë në krah këtë fushatë, siç duket gjasat, përderisa më fusin në burg pa gjyq 3 muaj para zgjedhjeve”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u arrestua këtë të hënë për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
REAGIMI I PLOTË I ERION VELIAJT:
Nuk më befason ky fund absurd i këtij kapitulli të gjatë zvarritjeje sa në gojët e qenërisë mediatike dhe sa në duart e një prokurori lunatik, që është një fyerje e gjallë e inteligjencës njerëzore. Por, ky ishte vetëm kapitulli i parë.
Tani unë nuk kam më detyrimin të hesht për çfarë më kanë parë sytë në sjelljen me familjen time dhe më kanë dëgjuar veshët nën çatinë e SPAK-ut. Kam respektuar, si gjithë të tjerët, vijën tonë politike, jo komente për një proces të hapur nga drejtësia.
Besomëni, nuk është e lehtë të heshtësh kur të djeg lëkura sikur të fikin bishta cigaresh në trup nga idiotësitë që të thotë një prokuror, si ai që nuk la dëshmitar pa shantazhuar. E kam bërë me besimin që kështu duhet dhe nuk pendohem që kam shtrënguar dhëmbët.
Nuk besoj se mediat do të kenë kurajon të zbërthejnë një më një akuzat idiote dhe më vjen tmerrësisht keq që disa sipërmarrës kanë hyrë në dorën e atij të padituri epsharak, për shkak se kanë sponsorizuar aktivitete kulturore për Tiranën.
Më vjen keq për Ajolën, që as djalin nuk e lanë të çojë e marrë nga shkolla, por edhe kjo nuk më befason.
Më vjen keq për nënën time, që zemër plasur në çdo betejë timen këto 20 vite, s’ju ndanë peripecitë prej një jete sakrificash.
Më vjen keq për të gjithë bashkëpunëtorët, kolegët, punonjësit e Bashkisë së Tiranës dhe dua ta dinë që nuk kam unë asnjë lidhje me idiotësitë e shkruara në paçavuren fatkeqësisht të sigluar edhe nga Altin Dumani.
Më vjen keq për motrat dhe vëllezërit e Partisë Socialiste dhe për kryetarin, që pas kaq vitesh beteja të përbashkëta elektorale, nëse nuk do të më ketë në krah këtë fushatë, siç duket gjasat, përderisa më fusin në burg pa gjyq 3 muaj para zgjedhjeve.
U them të gjithëve atë që i kam thënë kryetarit dhe kujt tjetër më ka pyetur: Nuk kemi asnjë lidhje unë dhe familja ime me fjalën korrupsion. Kjo historia jonë është aq tragjikomike sa njerëzit s’do ta besojnë kur t’i dëgjojnë të zbërthyera një e nga një, idiotësitë e asaj akuze. Nuk do të jetë e lehtë, se në këto kushte nuk shpjegohesh dot si do dhe sa do, por kam një besim të madh se e vërteta është më e fortë se sa çdo mur dhe se sa çdo idiot që i bëhet asaj barrikadë duke abuzuar me pushtetin e drejtësisë.
![Reagimi i parë i kryebashkiakut Erion Veliaj pas arrestimit (10 Shkurt 2025)](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/reagimi-i-veliajt.png)
Tv Klan