Pas 13 vitesh është rikthyer virusi i Nilit në Shqipëri. Sipas ekspertëve të ISHP deri tani në vendin tonë janë regjistruar 3 humbje jete dhe 17 të infektuar si pasojë e këtij virusi. Shefja e Shërbimit Infektiv, Najada Çomo thotë se personat që kanë humbur jetën kanë qenë të moshuar mbi 70 vjeç dhe me sëmundje bashkëshoqëruese.
“Është vënë re një trend në rritje e numrit të rasteve me meningjit dhe encefalite, pra infeksione të sistemit nervor qendror. Një pjesë e këtyre që paraqiteshin tek ne kishin prekje nga virusi i Nilit. Personat që kanë humbur jetën kanë qenë mbi 70 vjec dhe me sëmundje bashkëshoëruese, diabet, hipertension, probleme të zemrës”, tha ajo.
Në spitalin infektiv rezultojnë të shtruar 8 pacientë.
“Rastet me encefalit nga virusi i Nilit janë raste që kanë prekur grupmoshat e treta me sëmundje kronike. infeksionet e trurit janë gjithmonë kërcënuese sepse janë shpeshherë jetëkërcënuese. Janë 7-8 të shtruar të gjithë të grupmoshës 70-83 vjeç”.
Përgjithësisht shenjat janë bark, të vjella dhe temperaturë edhe pse sipas specialistëve rreth 80% e njerëzve të infektuar nuk shfaqin asnjë simptomë. Zogjtë janë bartës natyrorë të virusit të Nilit Perëndimor. Virusi transmetohet te njerëzit kryesisht përmes pickimit nga mushkonjat e infektuara dhe nuk transmetohet nga njeriu tek njeriu. Ky virus mund të shkaktojë sëmundje neurologjike dhe vdekje te njerëzit.
Tv Klan