Spanja u kualifikua në finalen e madhe të Europianit, pasi mposhti Francën me rezultatin 2-1. Një nga golat e këtij takimi, u shënua nga Lamine Yamal, i cili me një gjuajtje të shkëlqyer nga jashtë zone, e ndali topin në fundin e rrjetës, për të barazuar përkohësisht rezultatin.

Ky gol u analizua edhe në emisionin “Kampionët” në Tv Klan, me ish-futbollistin Edmond Kapllani, që deklaroi se te goli i Yamal, portieri i Francës, Maignan, ishte vendosur gabim.

“Vendosja e portierit është e gabuar. Nuk e vë në diskutim se është supergol. Mendoj se portieri është 1-2 hapa i gabuar. Nuk po them se ka faj. I mungoi një hap.”

Megjithatë, nuk ishte i këtij mendimi edhe ish-kapiteni i Kombëtares, Altin Lala, deklaroi se portierit nuk mund t’i vihet faj, pasi ishte i gjithi veprim individual i Yamal.

“Spanja e filloi shumë mirë dhe pastaj shënoi. Te goli i Yamal, nuk mund t’i vëmë fajin portierit. Ishte veprim i gjithi individual. Spanja pas golit vazhdoi me të njëjtin ritëm. Kjo e bën të vështirë për mesfushorët e Francës.”, deklaroi Lala. /tvklan.al