Monedha europiane Euro nuk ndal rënien në tregun valutor shqiptar. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, brenda 1 jave, Euro ka pësuar rënie me 0.19 Lekë, duke kapur vlerën e 98.13 Lekëve.  

Akoma më negativ është ky raport në tregun e lirë, ku 1 euro këtë të hënë u ble me 97.8 lekë, një nga vlerat më të ulëta historike të monedhës europiane.

Eksperti i ekonomisë, Ardian Civici thotë se një nga faktorët kryesorë është fakti se Shqipëria tashmë ka hyrë në fazën e turizmit gjithëvjetor, duke sjellë fluks Eurosh në vend.

Ardian Civici: Fakti që edhe turizmi në Shqipëri është bërë gjithëvjetor, edhe remitancat apo faktorë të tjerë të ekonomisë informale të eurove informale që kanë mbushur tregun monetar shqiptar, natyrisht që presioni ndaj Euros dhe forcimi i Lekut vazhdon të jetë i fortë, çka po e mban raportin e këmbimit mes Lekut dhe Euros në nivelin 98, 99.

Edhe me monedhën amerikane, Euro ka pësuar zhvlerësim.

“Javën e fundit i është shtuar edhe një presion tjetër që është tendenca e pritshme e forcimit të Dollarit nga Presidenca e ardhshme, Trump. E në fakt është reflektuar që këto ditë një forcim i lehtë i Dollait në raport me Euron, por edhe me Lekun.”

Sipas ekspertëve, tashmë monedha europiane ka hyrë në fazën e qëndrueshmërisë me monedhën vendase Lekë, duke pësuar vetëm ulje shumë të vogla. Kjo edhe falë ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë.

“Qoftë me blerjet direkt në treg të sasive të Euros, edhe masa e fundit e uljes së normës bazë të interesit që rrit masën monetare në Lekë si pasojë e shtimit të kredive dhe mundësive për investime, ndikon në këtë drejtim.”

Përsa i përket Dollarit amerikan, të gjitha shenjat tregojnë se do të forcohet duke sjellë pasoja në tregtinë europiane, atë të çmimit të naftës dhe produkteve që importohen në Dollarë dhe kjo e gjitha, si pasojë e politikës Trump.

Tv Klan