Marrja në pyetje të hënën nga SPAK-u për 4 orë e deputetes socialiste Klotilda Bushka lidhur me dosjen e Kryebashkiakut Veliaj ndezi debatet në Komisionin e Ligjeve.
Në mungesë të kryetares Bushka mbledhja u drejtua nga Eduart Ndreca, por kjo gjë s’e pengoi opozitën ta akuzonte deputeten socialiste për dëmtim të rëndë të imazhit të Komisionit të Ligjeve, duke kërkuar daljen me një deklaratë të përbashkët për t’u distancuar nga veprimet e saj.
Dashnor Sula: Ka kryer veprime në kundërshti me ligjin me vetëdije dhe ka penguar hetimin për Erion Veliajn.
Eduard Ndreca: S’kemi pse hymë në këto deklarata, të lëmë drejtësinë të bëjë punën e saj.
Fatmir Mediu: Nuk dua që ky komision të kthehet në Byro Politike.
Denis Deliu: Nuk duhet të nxitojmë të rëndojnë pozitën e gjithsecilit.
Ajo që shtoi më tej përplasjet mes palëve ishte edhe deklarata e Kryeministrit Rama në rubrikën “Sy më sy”, i cili tha se SHBA-të ishin larguar nga SPAK-u.
Petro Koçi: Opozita e ka në program ta shkrijë SPAK-un, avokati i vetëm sot i SPAK-ut është PS.
Toni Gogu: Ai komisioni i Posaçëm ju pret atje, vendet tuaja janë bosh ejani e na u bashkoni.
Debatet mes mazhorancës dhe opozitës vijnë pas dyshimeve të SPAK-ut se Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka ka intimiduar dëshmitarët në hetimet për Kryebashkiakun Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.
Tv Klan