Familja e efektivit të Policisë Rrugore Azbi Spahiu, i cili u lëndua disa ditë më parë, ka reaguar për herë të parë për ngjarjen. Ajo bën të ditur se efektivi i Rrugores është në gjendje të mirë dhe pret rikuperimin për t’u rikthyer në detyrë. Por nga ana tjetër thotë që situata ka krijuar shqetësim për ata.

“Kjo vëmendje e tepërt dhe aludimet e pavërteta nuk ndihmojnë, përkundrazi, na e rëndojnë situatën. Për këtë arsye, ju lutemi të gjithëve që ta respektojnë privatësinë tonë dhe të mos merren me spekulime me çështjet personale, që as i di njeri e as ka pse t’i dijë.”


Familja Spahiu sqaron se situata është personale dhe nuk lidhet aspak me detyrën, prandaj kërkon respektimin e privatësisë.

“Për të gjithë ata që janë shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë e Azbiut, dëshirojmë të konfirmojmë se kjo është një situatë personale dhe nuk lidhet aspak me ndonjë presion për shkak të detyrës nga eprorë, kolegë, qytetarë apo biznesmenë, siç është aluduar në disa raste. Siç na kanë këshilluar edhe mjekët, ajo që i duhet më shumë tani Azbiut është qetësia. E vlerësojmë shumë interesimin dhe mbështetjen e gjithkujt, por kërkojmë mirëkuptim që asnjë veprim të mos ndërmerret në emrin tonë, sepse nuk na ndihmon”, përfundon reagimi.

/tvklan.al