Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka reaguar zyrtarisht në lidhje me rastin e efektivit të Policisë Rrugore të Tiranës, 57-vjecarit me inicialet A.S, i cili u gjet i dëmtuar tre ditë më parë në rrugën “Xhanfize Keko”, në Tiranë.
AMP thotë se ka kryer verifikimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, nga të cilat ka rezultuar se në ngjarja nuk ka asnjë lidhje me detyrën e efektivit, siç ka deklaruar edhe ai vetë.
“Në kuadër të veprimeve verifikuese, që nga momenti i marrjes dijeni, drejtuesit e AMP-së Tiranë janë paraqitur pranë Spitalit të Traumës, për t’u interesuar mbi shëndetin e punonjësit të Policisë, por dhe për të administruar çdo pretendim të mundshëm, për shkak të detyrës. Nga deklarimi me shkrim i administruar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, punonjësi i Policisë A.S. nuk ngre asnjë pretendim lidhur me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, apo çdo formë tjetër presioni, shantazhi gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj.”
Në lidhje me rrethanat e saj, televizioni Klan mëson se në deklarimin e tij për Agjencinë e Mbikqyrjes Policore, efektivi i Policisë Rrugore ka sqaruar se ai mund të ketë humbur ndjenjat gjatë rrugës për të shkuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pasi kishte pasur shqetësime shëndetësore.
Edhe ministri i Brendshëm, Evin Hoxha reagoi për këtë rast, duke thënë se pretendimet për presione për shkak të detyrës apo ndërmarrja e veprimeve nga ana e punonjësit të policisë për të dëmtuar veten për shkak të ndonjë presioni janë një fortunë në gotë.
“Është bërë tanimë një zakon shumë i ulët, që të deformohen dhe manipulohen ngjarje të caktuara dhe të goditet Policia e Shtetit, për qëllime tërësisht politike apo biznes mediatik. Protesta sa të duan, kur të duan, po nuk rezulton që të ketë ndonjë punonjës policie, që ka tentuar të vrasë veten nga ndonjë presion për të mos zbatuar ligjin ndaj dikujt. Rasti në fjalë është i qartë e i dokumentuar dhe e gjitha është një furtunë në gotë”, thotë ministri Hoxha në reagimin e tij.
Aktualisht, punonjësi i Policisë Rrugore ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe pritet të lërë spitalin e Traumës, ku ka marre mjekimin e nevojshëm, për t’u rikthyer më pas në detyrë.
Tv Klan