Riku Beu nga fshati Kryevidh i Kavajës, rezulton të jetë i zhdukur prej dy muajsh, dhe një kufomë e gjetur në Shkup të Maqedonisë, ka ngritur dyshimet se trupi i pajetë mund t’i përkasë 35-vjeçarit. Emisioni “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus ka investiguar të gjithë këtë ngjarje dhe ka mësuar se Riku, i cili përdor edhe emrat Shyqyri e Tauland Beu, udhëtonte shpesh në Maqedoninë e Veriut.
Prindërit dhe bashkëshortja e 35-vjeçarit tregojnë për emisionin “Uniko” se Riku Beu kalonte kufirin maqedonas ilegalisht pasi nuk kishte dokumente. Babai shprehet se djali i tij ishte përfshirë në punë ilegale.
Ai thotë se para zhdukjes së djalit, disa persona i shkonin në shtëpi dhe i kërkonin paratë që Riku u kishte borxh. Sipas tij, bëhet fjalë për lëndë narkotike.
Babai: Djali jonë është larguar prej këtu në datë 22 Shkurt. Në 21 ka pasur ditëlindjen, bëmë ditëlindjen dhe në 22 është larguar prej këtu. Në datën 23 Shkurt më ka marrë mua në telefon. Babë tha, unë sosa jam në Shkup.
Bashkëshortja: Duke qenë se Riku normalisht nuk qëndronte në shtëpi si zakonisht sepse ishte në kërkim nga policia shqiptare për shkak të një aksidenti, diçka e tillë, dhe vinte në shtëpi për punë momentale. Takonte fëmijët, prindërit, dhe largohej përsëri. Kontakti i fundit ka qenë më 6 Mars ka ardhur në mëngjes diku rreth orës 05:00 të mëngjesit, ka përqafuar fëmijët dhe është larguar. Mendimi im është drejt Maqedonisë duke qenë se informacioni më pas tregoi që ai kishte shkuar drejt Maqedonisë.
E ëma: Kishte pikë të dobët nusen, fëmijët,
i donte të gjithë. Vëllanë, motrën, fëmijët, i donte shumë. Nuk ishte i keq.
Dhe me njerëzit ishte shumë njeri i mirë.
Babai: Më 6 Mars ka ardhur edhe i ka prurë vajzës një telefon edhe u largua. Ne s’e kemi takuar fare. Ka ikur. Nga kjo datë ne s’kemi kontakt më.
Bashkëshortja: Kishte ndenjur me një shokun e tij dhe më pas është zhdukur në një formë tepër misterioze. Më pas kontaktet e mia kanë qenë por gjithmonë pa kundërpërgjigje, nuk përgjigjej njeri. Në moment pasi kaloi 3-4 ditë, me ndjesinë që po ndodh diçka, kam kontaktuar këtë shokun që mendohej të ishte me Rikun dhe më ka thënë që Riku ka qenë me mua por tani nuk e di ku ndodhet. Telefoni gjithashtu dhe atij i dilte i fikur.
E ëma: Kontaktin e fundit e kam pasur në datë 22 Shkurt. Më takoi, më përqafoi, i kuptonte gjërat që bënte, po s’kishte mundësi që të kthehej.
Babai: Ka ardhur, ka pirë kafe në Shkup, pastaj një person tjetër ka ardhur, një shok, i ka thënë që të kërkojnë dy shokë jashtë. Edhe ka lënë kafen pa pirë. Pas 40 minutash e ka marrë ky në telefon edhe si rezultat i ka rënë telefonit pastaj janë fikur të gjitha. Janë mbyllur.
Bashkëshortja: Ka menduar të njëjtën gjë që kam menduar edhe unë ndoshta, që do të marri vetë ose ka pritur që Riku ta marri. Mënyra se si është larguar dhe mënyra se si ka lënë dhe rrobat tek shtëpia e këtij personi dhe mënyra se si ka ikur, thjesht është çuar nga tavolina për të takuar dikë tjetër dhe aty u zhduk duke lënë në gjysmë muhabetin apo kafen, kjo të bën të dyshosh shumë.
E ëma: I jepja shumë këshilla, i doja të mirën. Por nuk na dëgjonte. Dëgjonte më shumë shokët.
Babai: Unë kam dy djem edhe një vajzë. Riku ka arsim 8-vjeçar. Fillimisht ka qenë në Itali emigrant. Ndejti 3 vjet atje, nuk bëri gjë. Erdhi këtu. Në Shqipëri ka pasur probleme shumë. Ajo puna që bëri një aksident në Elbasan atje me makinë. Ai ka ikur. Si rezultat policia vinte këtu e kërkonte, ai s’rrinte këtu.
Bashkëshortja: Përafërsisht dy javë pas zhdukjes kam kontaktuar me policinë, me shefin e zonës, ja kam treguar ngjarjen të gjithë dhe ai ka thënë do ta shpallim person të zhdukur. Policia më kërkoi ato të dhëna që kishte nevojë dhe unë i dhashë ato të dhënat që posedoja aq sa kisha dhe pastaj vetë jam munduar të kontaktoj me individë që mund të kisha dëgjuar si shokë të Rikut. Dhe të gjithë ka qenë rezultati që nuk dimë gjë.
E ëma: Të ma gjejnë pra djalin. Sido që të jetë, vetëm të ma gjejnë. Më mungon shumë.
Babai: Na kanë ardhur persona në shtëpi. Në fillim nuk i njihnim. Vinin vonë fare, në darkë. Njëri rrinte në makinë, tjetri vinte këtu. Edhe thoshin: Riku është djalë i mirë po na ka ca borxh. I thashë unë çfarë borxhi keni me Rikun ju? Shqip, drogë më tha mua.
Bashkëshortja: Unë do t’i bëj një përshkrim fizik, gjatësia rreth 1.74 cm, një trup mesatar i plotë, ka shenja dalluese në të dyja krahët sepse ka tatuazhe.
Babai: Vëllai e kërkonte, i thoshte hajde se kishte punë në Greqi. Hajde i thoshte punojmë bashkë. Ky thoshte do vij. Ai i kishte qejf këto. Më vonë u zhyt ai me këto.
Bashkëshortja: Riku para 2 vjetësh ka qenë një punëtor i thjeshtë peshkatar dhe në atë periudhë për shkak të zonës turistike që është plazhi Spille është njohur me një maqedonas. Në atë periudhë filluan ndryshimet e Rikut. Për shkak se gjendja jonë ekonomike ishte mizerabël dhe ndoshta ka menduar t’i futet një rruge të gabuar. Dhe sa i përket mjeteve të identifikimit, sigurisht që ka qenë me mjete identifikimi më parë deri në periudhën e aksidentit në Elbasan që u shpall në kërkim nga policia. Identitetin e ka ndryshuar për shkak të problemeve të hershme të Italisë që ka qenë me precedent penal, por e ka kryer dënimin.
Babai: Unë kam mendim kështu për këtë punën e kufomës. Këta e kanë lënë edhe e kanë nxjerrë vetë po këta persona. Kanë thënë kemi gjetur një kufomë. Edhe mund ta dinë shumë mirë që është ai. /klanplus