Familja e ish-ushtarit të UÇK-së, Muhamet Musliu nuk ndaloi asnjëherë së kërkuari eshtrat e djalit të tyre të vrarë nga forcat serbe në vitin 1999. Muhamet Musliu ishte zhdukur me 27 Mars, një ditë para masakrës së Izbicës, në Skenderaj dhe besohet se në të njëjtën ditë është vrarë.
Gjatë gërmimeve të fundit në zonën ku mendohet se është vrarë Muhameti, vëllai i tij ka hasur në kocka, disa gëzhoja plumbash, si dhe në copa veshjeje që mendohet të jenë nga triko që e ka pasur të veshur vëllai i tij, herën e fundit që është parë.
Eshtra në atë zonë janë gjetur edhe më herët, por këtë radhë dyshimet se mund të jenë të Muhametit janë më të mëdha. Familja është duke pritur ekspertizën mjekësore, ndërkohë që Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit do ta trajtojë këtë rast me prioritet.
Policia tanimë ka dalë në vendin ku janë gjetur kockat dhe po presin rezultatet e mjekësisë ligjore. Ndërsa Prokuroria Speciale dhe Instituti i Mjekësisë ligjore do të vazhdojnë me gërmime të tjera në atë zonë.
Familjarët e ish-ushtarit të UÇK-së Muhamet Musliu, kanë thënë se ata nuk do të ndalojnë kërkimet derisa të gjejnë mbetjet e djalit të tyre dhe t’i rivarrosin ato./klankosova