Adoleshentë të moshës nga 14 deri 18 vjeç, kryesisht vajza në qytetin e Korçës kanë rënë pre e bullizimit në rrjetin social Instagram nga përdorues ende të paidentifikuar.

Përmbajtja e materialeve të publikuara kryesisht kishte qëllim denigrimin përmes publikimit të videove apo fotove pornografike të personave që binin pre e saj.

Një prej këtyre materialeve i ra në dorë një oficere sigurie në një gjimnaz në Korçë, e cila menjëherë referoi rastin në polici, ku pas denoncimit kjo faqe u mbyll nga sektori i krimit kibernetik në Policinë e Shtetit.

Në anonimat, dy adoleshente tregojnë rreth aktivitetit të kësaj faqe në rrjetin Instagram, si dhe materialeve që shpërndaheshin në të nga përdorues të saj, për të cilët policia po punon për t’i identifikuar.

“Kjo faqja është hapur disa herë dhe e mësova nga shopëria ime që isha postuar në këtë faqe. Nuk e përjetova mirë.”

“Më vjen shumë keq. Nuk më erdhi mirë kur e lexova.”

Bullizimi dhe denigrimi përmes rrjeteve sociale i të miturve dhe adoleshentëve duket se është shtuar kohët e fundit në Korçë. Madje ka patur raste kur nga sulmet e vazhdueshme personat e dëmtuar, kanë tentuar vetëflijimin.

Thanas Dimço: Janë autorë të ndryshëm dhe vetë ligjet janë pak flagrante sepse nuk jamë të kompletuara në lidhje me pjesën online. Duhet shumë punë, shumë sensibilizim.

Burime pranë Policisë së Shtetit i thanë TV Klan se nga verifikmet, llogaria e Instagramit që është përdorur për të sulmuar adoleshentët ka rezultuar se është loguar në Korçë. Për gjetjen e përdoruesve të saj, uniformat blu i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare dhe platformës “META”.

Tv Klan